Fshehu plagosjen e dhëndrit dhe dënimin për armë pa lejë,1 vit burg për policin
Guri Pasha, një efektiv pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është dënuar nga gjykata e Tiranës, me 1 vit burgim për shkak se në formularin e vetëdeklarimit kishte fshehur dy dënime, të mara për “Mbajtje pa lejë të armëve” dhe “Plagosjes së rëndë me dashje”.
“Ora News”, zbulon vendimin e gjyqtarit Erjon Bani, i cili në datën 21 dhjetor 2020, ka vendosur të dënojë policin me 1 vit heqje lirie dhe më pas pezullimin e këtij dënimi me burg, në një periudhë shërbim prove.
Punonjësi i policisë është akuzuar nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve, pasi siç rezultoi gjatë fazës hetimore ai nuk kishte deklaruar dy dënime të rënda që kishte marrë nga drejtësia shqiptare në dhjetor 2001 dhe tetor 2015. Sipas dokumentacionit, Guri Pasha në vitin 2001 është dënuar nga gjykata e Tiranës me 3 muaj burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Ndërsa në vitin 2015 sërisht nga gjykata e Tiranës, Pasha, është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje”. Por megjithëse kishte dy dënime penale, Guri Pasha, vijonte të ushtronte detyrën e tij në polici, duke kryer shërbime pranë komisariatit të Policisë Vorë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Por këto dënime janë zbuluar vetëm pas verifikimeve të kryera nga sektori i SHÇBA-së në Ministrinë e Brendshme, i cili është vënë në lëvizje pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit nga punonjësi i policisë Guri Pasha.
Ky i fundit ka shënuar në formular se nuk kishte asnjë dënim penal të marë nga gjykatat vendase dhe të huaja.
Pas zbulimit të dy dënimeve, punonjësi i policisë ka deklaruar se:”…në njërën nga rubrikat e këtij formulari unë kam plotësuar me shkrim dore që kam pasur një konflikt me ish-dhëndrin tim dhe jam në proces gjyqësor.
Unë nuk kam pasur dijeni nëse këtë konflikt në proces gjyqësor, duhet ta pasqyroja në rubrikat e tjera të formularit.
Lidhur me dënimin e vitit 2001 të dhënë ndaj meje nga Gjykata e Tiranës, unë kam menduar se ky dënim është rehabilituar dhe nuk duhej të shënohej në rubrikat e formularit të vetëdeklarimit.
Unë nuk kam pasur qëllim që të jap të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit, por nuk kam ditur si ta plotësoj, pasi kam menduar se isha rehabilituar…”.
Edhe pse ka dhënë një dëshmi shfajësuese para gjykatës, kjo e fundit nuk ka toleruar, duke e dënuar për herë të tretë punonjësin e policisë Guri Pasha, të akuzuar këtë herë për veprën penale të “Falsifikimit të vulave dhe stampave”.