Tiranë: 6 nxënës helmohen nga rrjedhja e gazit në një shkollë private
Tejmbushja e bombolës së pacertifikuar të gazit në një shkollë 9-vjeçare jo publike ka shkaktuar helmimin e të paktën 6 nxënësve në kryeqytet. Ata u dërguan me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pas ekspertizës rezultoi se sistemi i gazit ishte montuar nga vetë shkolla, e cila nuk ishte regjistruar pranë autoriteteve që duhet të kontrollojnë kushtet teknike.
Rrjedhja e gazit në një prej depozitave kryesore të një shkolle jo publike në kryeqytet ka bërë që nxënësit të evakuohen dhe të marrin ndihmë mjekësore në ambientet spitalore
Të paktën 6 nxënës të shkollës së vajzave “Albanian Qatar College” u vunë në rrezik nga rrjedhja e gazit. Ata shfaqën shenja toksikimi dhe u dërguan me urgjencë për trajtim spitalor.
Fillimisht 3 prej tyre janë dërguar në Spitalin e Traumës për shkak të afërsisë me shkollën, dhe më pas janë transportuar në urgjencën e pediatrisë në QSUT.
Tre të tjerë të moshës 15-vjeç po trajtohen në urgjencën qendrore të këtij spitali.
Ata kanë shfaqur shenja të lehta toksikimi si dhimbje koke, të përziera, dhe gjendje ankthi, sipas mjekut toksikolog që ka kryer vizitën gjendja e tyre është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në ambientet e spitalit fëmijëve u është marrë edhe dëshmia për të gjithë ngjarjen.
Njëra prej të nxënëseve tregon se u është kërkuar të dilnin jashtë shkollës, ndërsa në oborrin e saj kanë parë nxënës që janë ndjerë keq për shkak të toksikimit.
Sipas grupit hetimor, shkolla ka dy depozita gazi, njëra prej tyre pati rrjedhje për shkak të tejmbushjes.
Sistemi i gazit është instaluar në muajin dhjetor nga vetë përgjegjësit e shkollës, të cilët nuk janë regjistruar pranë inspektoratit shtetëror teknik industrial për të kryer kontrolle periodike për kushtet teknike.
Pas përfundimit të ekspertizës, një ekip i ISHTI dhe zjarrfikësve bënë të mundur boshatisjen e bombolës 1000 litërshe ndërsa priten masa që do të merren pas konkluzionit të hetimeve.
RAPORTIMI SIPAS ORËS:
Ora 12:39 Përfundon ekspertiza
Ekspertiza në lidhje me rrjedhjen e gazit ka dalë në përfundimin që shkolla është e pajisur me dy depozita gazi. Njëra prej depozitave ka pasur rrjedhje për shkak të tejmbushjes.
Në shkollë ka mbërritur një zjarrfikëse që do të boshatisë depozitën.
Ndërsa Drejtoria Arsimore ka deklaruar se nuk është në kompetencat e saj gjendja teknike e sistemit të ngrohjes.
Ora 12:07 Reagon QSUT
QSUT me anë të një reagimi ka thënë se Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme janë paraqitur tre persona të moshës rreth 15 vjeç, ndërkohë që tre të tjerë të moshës 12-14 vjeç janë në Urgjencën Pediatrike.
Nxënësit janë në gjendje koshiente me shenja të lehta helmimi nga gazi si dhimbje koke dhe të vjella, por jashtë rrezikut për jetën.
“Paraditen e sotme, pranë Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme janë paraqitur me ambulancë 3 pacientë të ekspozuar nga gaze, të moshës rreth 15 vjeç.
Tre pacientë të moshës 12-14 vjeç intosikuar janë paraqitur me ambulancë pranë Urgjencës Pediatrike.
Mjeku toksikolog ka kryer konsultën mjekësore dhe ka konstatuar që janë koshiente, paraqesin simptoma të lehta të intoksikacionit si dhimbje koke, të përzjera dhe pak ansioze. Pacientët janë me paramentra stabël, jashtë rrezikut për jetën dhe janë shtruar në pavion për monitorim.”
Ora 11:06 Dëshmia e nxënësve
Deri më tani tre nxënës kanë mbërritur në ambientet e QSUT dhe tre të tjerë te Pediatria.
Për Ora News nxënësit kanë thënë që janë njoftuar për të dalë nga mësimi dhe për të shkuar në një kafe. Në momentin që kanë dalë nga ambientet e klasës, ata kanë vënë re që shokët e tyre kanë qenë duke vjellë apo në gjendje të fikëti.
Sipas tyre janë helmosur rreth 10-12 persona.
Ora 10:26 Në një shkollë në rrugën "Don Bosko" në Tiranë raportohet se ka pasur rrjedhje gazi në sistemin e ngrohjes.
Si pasojë është bërë evakuimi i nxënësve të shkollës, 4 prej të cilëve kanë përfunduar në spital. Mësohet se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
Ora News bën me dije se bëhet fjalë për shkollën jopublike "Albanian Qatar College", një kolegj 9 vjeçar vajzash i hapur në vitin 2010.
Sipas grupit hetimor, lënda e rrjedhur është gaz i lëngshëm propan butan. “Albanian Qatar College” është kolegj vajzash i hapur në vitin 2010 dhe është 9 vjeçar.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë, të cilët po punojnë për normalizimin e situatës.
Përshtati për online Tea Islamaj