Trafikonin fara kanabis sativa, prangosen dy persona në Shkodër
4 Euro kushton një fare e bimës narkotike Kanabis Sativa që shitej nga dy persona të arrestuar në Shkodër.
Julian Muhja e Kolë Ksolla, që të dy banues në fshatin Grudë e Re kishin siguruar 4000 fara kanabisi të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro, tek persona që do të tentonin trafikimin.
Policia thotë se farat ishin siguruar nëpërmjet lidhjeve që dy të arrestuarit 43 dhe 25 vjeç kishin jashtë vendit.
Ende nuk është sqaruar mënyra sesi ato kanë hyrë në Shqipëri, por në rastet e ngjashme, trafikantët kanë përdorur postën.
Në maj të vitit 2020, 30-vjeçari Olsi Çaushi, nga Vlora u arrestua teksa priste ti vinin 11 mijë fara kanabisi nga Spanja, me këtë skemë.
Për rastin e goditur në Shkodër, policia thotë se kishte marrë informacion për veprimtarinë e shitjes së farës së kanabisit për qëllim kultivimi dhe të lëndës narkotike për përdorim.
Ata u arrestuan në një lokal në Shkodër në kuadër të operacionit të koduar “Gruda”.
Gjatë kontrollit fizik, Julian Muhjas e Kolë Ksollës iu gjetën qeset ku mbanin 4000 farat e kanabis sativës dhe 140 doza për përdorim.
Në janar të këtij viti një 37-vjeçar u arrestua nga policia në zonën e ‘Plepave’ pasi u kap me 2 kg fara kanabisi, të cilat dyshohet se do ti shiste për kultivuesit e bimëve narkotike në qarkun e Durrësit.
Importimi i farës së bimëve narkotike është parë nga policia si një pikë ku mund të ndërpritet zinxhiri i kanabisit, në vend, por kapja e sasive brenda vendit dhe zbulimi në vazhdimësi i parcelave tregon se trafikantët ia kanë dalë të gjejnë forma të reja për ta sjellë në Shqipëri.
Kultivimi i kanabisit kryesisht nis në muajin Mars, dhe operacioni në Shkodër tregon se edhe këtë vit tentativat nuk do të mungojnë.