Pushohen 3 kallëzimet e Konit kundër Kules, Akuza: Asnjë nga dosjet nuk përbën vepër penale
Beteja ligjore mes dy profesorëve, Mynyr Koni dhe Dhori Kule, e cila nisi me një seri kallëzimesh penale, në prokurorinë e Tiranës, është mbyllur pa zhurmë.
Vendimi për mbylljen e kallëzimeve penale është marrë nga gjykata e Tiranës në dhjetor 2020. Togast e zeza kanë miratuar kërkesën e prokurorisë për të mbyllur hetimin ndaj ish-rektorit të Universitetit të Tiranës, njëherësh dekanit të Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule.
Sipas dosjes hetimore të cilën “Ora News” e disponon gjatë hetimeve të kryera mbi pretendimin e kallëzuesit Mynyr Koni, nuk ka asnjë të dhënë penale që të faktohet akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.
Koni fillimisht kallëzoi penalisht kolegun e tij Dhori Kule, në prokurorinë e posaçme SPAK, por më pas çështja i kaloi për hetime të mëtejshme prokurorisë së Tiranës.
Gjatë hetimeve të kryera nuk u konstatuan elementët e kryerjes së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe për pasojë tre kallëzimet e Konit, kundër Dhori Kules, tashmë janë pushuar dhe me vendim gjykate.
Sipas dosjes Koni akuzonte Dhori Kulen se kishte abuzuar me detyrën, gjatë proçedurës së prokurimi të “Informatizimit të Universitetit të Tiranës”. Tenderi u fitua kompanitë “BNT Electronic” dhe “Intech”.
Por megjithëse është firmosur një kontratë furnizimi, Koni në kallëzimin e tij pretendonte se kompanitë fituese, nuk i kishin paisur me të dhënat, në mënyrë që ata të aksesonin serverin e institucionit. Gjithahtu një tjetër kallëzim që Koni akuzonte Dhori Kulen, bën fjalë për rregjistrimin e 25 studentëve pranë Fakultetit Ekonomik Tiranë, studentë këta që rezultonin se nuk ishin shpallur fitues farë në sistemin elektronik të ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, mëson Ora News.
Sipas Konit një shkelje e tillë për rregjistrimin e 25 studentëve në fakultet është bërë gjatë sezonit universitar 2016-2017. prokuroria ka mbyllur dhe një kallëzim të tretë të depozituar në prokurori nga Mynyr Koni kundër Dhori Kules.
Ky kallëzim fliste për mirëmbajtjen e sistemit elektronik të Universitetit të Tiranës, ku dukshëm shprehet Koni, edhe pse ka pasur një procedurë tenderuese nga Kule, firma fituese nuk ka vijuar me mirëmbajtjen e këtij sistemi, duke sjellë futjen në kolaps të punës së universitetit, pasi ishte e pamundur të aksesoheshin të dhënat në sistemin elektronik.