“Ishte miku im më i mirë” flet djali i Blerim Avdijajt: Babi ishte i lumtur që do të merrte familjen në Zvicër
Mbrëmja e 14 janarit ishte tragjike për familjen Avdijaj nga Kosova, të cilët u aksidentuar për vdekje në Rrugën e Kombit në afërsi të Rrëshenit.
Djali i madh i Blerim Avdijaj, Mirsad Avdijaj ka folur për media zvicerane, duke u shprehur se e gjithë kjo situatë u duket si horror. Mirsadi 26 vjeçar është djali nga martesa e parë e Blerimit, 51 vjeç që mbeti viktimë në këtë aksident së bashku me bashkëshorten Anjeza 34 vjeç, vajzën Medinën 6 vjeç dhe Klejdi 11 vjeç (djali i Anjezës nga martesa e parë).
Mirsadi është shprehur se të dielën e kaluar ai ka përcjellë familjarët për në aeroport, nga ku do të vizitonin Kosovën.
“Unë i kam dashur shumë të gjithë, Klejdi ishte si mishi im, gjaku im. Babai im donte të sillte në Zvicër të vegjlit që ende jetonin në Shqipëri. Ai ishte shumë i lumtur”, tregon 26 vjeçari për mediat zvicerane.
“Ai ishte miku im më i mirë. Ende nuk mund të mendoj qartë”, ka vijuar.
Katër nga 5 udhëtarët me Citroen humbën jetën nga përplasja fatale me një kamion. Vetëm Violeta 3 vjeçare ka arritur të mbijetojë, por gjendja e saj vijon e rënduar. Mbrëmjen e të premtes ajo ka rritur të thotë disa fjalë, duke i dhënë shpresë mjekëve të Spitalit të Traumës se mund të përmirësohet.
Sakaq viktimat janë përcjellë për në banesën e fundit ditën e sotme (17 janar).