Rama i përgjigjet Ambasadës franceze për vaksinën: Ankesa është pa lidhje me qëndrimin tim

“Ndërkohë që Franca ka shumë më pak se aq. Çfarë kuptimi ka që të kesh stok?”

Kjo deklaratë e dhënë nga kryeministri Edi Rama në emisionin Open ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Francës përmes një note proteste.

Teksa sillet në vëmendje kontributi i dhënë në ndihmë të Shqipërisë, ambasada e konsideron të papërshtatshëm qëndrimin. Por përmes rrjeteve sociale kreu i qeverisë thekson se nuk ka reaguar ndaj asnjë aleati e aq më pak për Francën. duke theksuar se vlerëson rolin e BE në 30 vite.

Rama shprehet se ka folur konkretisht për vaksinat, duke shtuar se lënia jashtë e vendeve të rajonit tone në shpërndarjen e dozave kundër nuk ka asnjë justifikim.

“Ndërsa ankesa e Ambasadës Franceze, meqë unë e ilustrova opinionin tim duke sjellë shembullin e Francës (siç mund të sillja edhe shembuj të tjerë) është pa lidhje me qëndrimin tim dhe konkretisht edhe me sjelljen e shembullit të Francës, për të ilustruar idenë se nuk kishte pse të mos i jepeshin edhe vendeve tona disa doza për mjekët të paktën, kur ato s'mund të përdoren të tëra menjëherë në asnjë vend të BE.
Franca është jo vetëm një nga vendet më të mrekullueshme të botës e më të përparuara të Europës në çdo drejtim, as thjesht një vend mik e aleat i Shqipërisë, po edhe një vend i veçantë në zemrën e në mendjen time.”

Ankesa e Ambasadës, shprehet Rama nuk ndryshon asgjë në asnjë drejtim.

“Ashtu siç e drejta për të menduar ndryshe vlen si gjithnjë njësoj si për Francën edhe për Shqipërinë në këtë rast; si për hartuesit e ankesës në emër të Francës, si për mua që flas në emër të Shqipërisë.”

Reagimi i Ramës ka ardhur në përgjigje të komenteve në Facebook ku shton se “Një fjalë e bukur popullore thotë se miqësia e vërtetë nuk i ka të gjitha fjalët prej mjalti, kështu që as ti mos u mërzit, as ambasada s'ka pse mërzitet, se unë jo e jo, çfarë nuk dëgjoj po nuk mërzitem.”