Skandali te "Shefqet Ndroqi", Prokuroria nis hetimet për personelin mjekësor
Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet për rastin e sanitares Tire Alldervishi e cila duke u hequr si infermiere i mori 8 milionë lekë një gruaje për ti shërbyer nënës së saj të shtruar me COVID në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Hetimet janë fokusuar mbi personelin mjekësor ku fillimisht janë marrë në dispozicion kamerat e sigurisë në spitalin COVID 2. Pamjet e regjistruara pritet të zbardhin personat me të cilët ka patur komunikim 58-vjeçarja Alldërvishi.
Nga ana e Prokurorisë është sekuestruar edhe libri i shërbimeve për të parë se si ishin të ndara turnet dhe kush nga personeli mjekësor ka patur për detyrë të kujdesej për nënën e vajzës që ka denoncuar rastin.
Kartelat mjekësore pritet të zbardhin mjekimet që duhej të merrte pacientja dhe më pas do të krahasohen me recetat e ilaçeve. Kjo pritet të vërtetojë nëse gruas së ndjerë i janë dhënë të njëjtat medikamente, që sanitarja i ka treguar denoncueses.
Prej akuzës puna ka nisur prej disa ditësh me zbardhjen e bisedave telefonike dhe me kryqëzimin e thirrjeve.
Burimet kanë bërë të ditur se në një fazë të dytë do të merren në pyetje si mjekët ashtu edhe infermierët.
Në funksion të hetimeve, janë marrë në administrim dhe rastet e tjera të denoncimeve të bëra publike ku pretendohet se punonjës të spitaleve Covid kanë marrë ryshfet nga qytetarët për të shërbyer të afërmeve të tyre të prekur nga koronavirusi.
Tire Alldërvishi pak ditë më parë u la në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa pala mbrojtëse pretendoi se përgjimet telefonike nuk janë bërë në përputhje me ligjin, por prokuroria u shpreh që denoncimi nga vajza e pacientes është bërë para se rasti të bëhej publik.