Strehoi në shtëpinë e tij 50 emigrantët sirianë, gjykata merr vendimin për Qazim Ismailajn
Gjykata e Vlorës mbajti në qeli edhe personin e dytë të arrestuar si pjesë e grupit që tentoi të trafikojë 55 klandestinë me gomone nga Shqipëria drejt Italisë mbrëmjen e 8 janarit.
Për Qazim Ismailaj, i cili akuzohet për dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit u caktua masa e sigurisë arrest me burg, në një seancë të mbajtur me dyer të mbyllura.
32 vjeçari nga fshati Trevllazën sipas policisë kishte kthyer banesën e tij në një bazë të qëndrimit të klandestinëve, pasi ata kanë mbërritur atje nga Tirana, ku hetimi tregoi se qëndronin në një hotel.
Me dyshimin si pjesë e një rrjeti trafiku në kryeqytet u arrestua pronari i hotelit Fatos Dushe, i cili tashmë ndodhet në qeli me masë sigurie të dhënë po nga gjykata e Vlorës.
Por veç 2 personave të akuzuar për strehimin e klandestineve, policia ende nuk ka arritur të vërë në pranga skafistët që mbrëmjen e 8 janarit, u nisën me gomone për ti dërguar në Itali.
Ata arritën ti shpëtojnë arrestimit në kohën kur roja bregdetare u erdhi në ndihmë pasi mjeti lundrues mbeti i bllokuar për tre orë në det duke rrezikuar të prodhojë një tragjedi.
Ishin klandestinët që në dëshmitë e tyre treguan për rrjetin e trafikimit nga deti ndërsa kishin paguar 4 deri në 5 mijë euro për të kaluar drejt Italisë me gomone.
I strehoi në banesën e tij në Vlorë 50 emigrantët sirianë, pranga 31-vjeçarit