Klandestinët rrugëve, kampi bosh
Shtetasit e huaj të mbërritur nga vendet e Lindjes së Mesme konstatohen gjerësisht në vendin tonë por jo në kampin pritës. Aty aktualisht është një numër i pakët të cilët trajtohen, ndërsa jashtë kampit ata tentojnë të gjejnë mënyra alternative për të jetuar dhe larguar nga Shqipëria. Përgjatë vitit të shkuar u regjistrua një rritje e numrit të emigrantëve të paligjshëm.
Shtetasit e huaj të mbërritur kryesisht nga Lindja e Mesme konstatohen në rrugët e kryeqytetit por jo vetëm, ndërsa në qendrën pritëse të azilantëve numri i atyre që janë strehuar është i pakët.
Qendra Kombëtare Pritëse e azilantëve është pothuajse e boshatisur.
Mësohet se aty janë strehuar 8 deri në 10 familje që kërkojnë statusin e azilantit
Më herët banorët e zonës rreth qendrës ngritën shqetësimin për praninë e të ardhurve, ndërsa tani konfirmojnë se situata paraqitet e qetë prej disa kohësh për shkak të boshatisjes së qendrës.
"Përpara ka pasur, vinin këtu, tani nuk ka më. Se di, i kanë çuar nga Durrësi."
Përgjatë vitit që lamë pas janë kapur 15 mijë klandestinë, 3 mijë me shumë se viti 2019.
Përgjatë vitit në Qendrën e Azilantëve janë trajtuar rreth 2 mijë persona, mes tyre të mitur të pashoqëruar apo dhe familjarë.
13 mijë të tjerët tentuan ta përdorin Shqipërinë si vend tranzit drejt vendeve të Bashkimit Evropian, por shqetësues është fakti i përfshirjes së tyre në vepra penale.
Krahas vjedhjeve, për tu ushqyer ata u përfshinë në kultivimin e lëndëve narkotike, siç është rasti në Skrapar ku u arrestuan 23 persona që kishin punësuar dhe të huajt.
Ndërkaq 50 emigrantët që u shpëtuan pak ditë më parë në Vlorë rikthyen shqetësimin e ngritur nga Europol se në detin Adriatik po përdoren anije të vogla të cilat transportojnë emigrantë drejt Italisë me synimin për të kaluar në Gjermani.
SITUATA E AZILANTËVE
- Në 2020 u kapën 15 mijë emigrantë
- 2 mijë prej tyre kërkuan azil
- Në 2019 u kapën 12 mijë emigrantë