9 janar 2004 - 9 janar 2021/ Këlliçi: Nano hidhte valle në buzukun grek, ministrat e Ramës darkë luksoze në Dubai

Në një intervistë për Ora News, kryetari i FRPD, Belind Këlliçi ka komentuar aktualitetin në vend, duke u ndalur edhe te situata e përmbytjeve.

Sipas tij, mungesa e vëmendjes së qeverisë ndaj qytetarëve ka bërë që situata të percepitojë në një situatë të tillë.

Këlliçi komentoi edhe darkën e ministrave në Dubai duke bërë edhe një paralele me 9 janarin e 2004-ës me protagonist kryeministrin e asaj kohe Fatos Nano.

“Mungesa e investimeve të qeverisë. Mungesa e vëmendjes së qeverisë. Mungesa e një zgjidhjeje permanente, një zgjidhje të përhershme për hallet që kanë qytetarët. Me bordet e kullimit, me lumenjtë që përherë kapërcejnë shtratin, me shtëpitë e tyre, me rrugën me infrastrukturën. Mungesa totale e vëmendjes.

Është  e mbartur vit pas viti dhe kemi parë show vit pas viti, propagandë vit pas viti. Dhe ajo çka tenton të bëjë qeveria gjatë gjithë kohës, ka qenë propaganda. Ju keni një model qeverisjeje këto 8 vjet komplet të dështuar. Ka dështuar për arsye fare të qartë: qytetari është në fund të vëmendjes, në fund të rreshtit përsa i përket kujdesit dhe vëmendjes nga ana e qeveritarëve.

Historia përsëritet, për fat të keq në këtë rast. Sikundër e keni parë, më 9 janar të 2004, 28 qytetarë shqiptarë humbnin jetën në det të hapur për tu larguar nga Shqipëria dhe kryeministri socialist i asaj kohe Fatos Nano hidhte valle në buzukun grek, sërish në 9 janar të këtij viti, ministrat e qeverisë, ajo çka është më e rëndë, ministrin e rindërtimit, Arben Ahmetaj në një prej restoranteve më luksoze të botës, në Dubai duke darkuar, ndërkohë që qytetarët janë në çadra. Unë dje kam vizituar familjen e Çlirim Zelës, ka 14 muaj në çadër. Janë dhënë sot sinkrone, pamje të dhjetëra, qindra familjeve që sot ende jetojnë në qiell të hapur”, u shpreh ndër të tjera Belind Këlliçi.