Fjolla Morina pranon akuzën, kërkon gjykim të shkurtuar. I dashuri i saj del i pafajshëm

Fjolla Morina, këngëtarja Kosovare e arrestuar vitin e kaluar për akuzën e “Trafikut të armëve dhe municioneve”, ka pranuar akuzën duke kërkuar gjykim të shkurtuar.

Një javë më parë, Ora News raportoi se këngëtarja u mor e pandehur dhe se çështja e saj, kishte kaluar për gjykim në gjykatën e Kukësit.

Sot është zhvilluar seanca paraprake, ku Fjolla Morina, ka pranuar të gjykohet me gjykim të shkurtuar, me qëllimin e vetëm për të përfituar uljen e dënimin në masën 1/3.

Ndërsa për të dashurin e saj, Fisnik Syla dhe shoferin e këtij të fundit Fitim Muji, gjykata e Kukësit vendosi të pushojë hetimet për shkak se nuk kishte prova që ata ishin të implikuar në këtë histori.

Kjo çështje fillimisht u dërgua në gjykatë për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”, por më pas gjatë zhvillimit të seancës paraprake, gjyqtari i çështjes urdhëroi prokurorinë që të ndryshojë akuzat nga “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve” në “Trafikim të armëve dhe municioneve”.

Fjolla Morina vijon të jetë në Kukës nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjatë kontrollit nga autoritetet e pikës kufitare në çantën e saj u gjetën dy pistoleta, njëra prej tyre çakmak, si edhe 23 fishekë.

Këngëtarja nga Kosova u arrestua bashkë më dy persona të tjerë, me të cilët po udhëtonte nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

LEXO EDHE

Ndryshon akuza për Fjolla Morinën, nga mbajtje pa leje të armëve, në trafik armësh e municione