Shiu dëmton rrugën në Mushqeta, rruga e ndërtuar para dy vitesh, "bllokohen" mbi 30 familje
Nuk ishte e thënë që banorët e Mushqetasë në Tiranë ta gëzonin gjatë këtë rrugë.
E ndërtuar dy vite më parë rruga nuk u rezistoi reshjeve intensive të ditëve të fundit.
Një segment afro 300 metra është i papërshkueshëm për automjetet për shkak të dëmtimeve të rënda të asfaltit.
Toka ka rrëshqitur duke shkaktuar çarje të thella.
Janë mbi 30 familje të fshatit Mushqeta që dëmtimet u krijojnë vështirësi.
Banorët, shtëpitë e të cilëve ndodhen poshtë kësaj rruge, janë njoftuar që të largohen, pasi toka mund të rrëshqasë sërish dhe t'u rrezikojë jetën.
Kjo rrugë ashtu si të tjera, të dëmtuara ditët e fundit, është tregues i mungesës së cilësisë në ndërtimin e veprave të tilla infrastrukturore.
Pas rrugës së Borshit dhe asaj të Lezhës, rruga e fshatit Mushqeta është e radhës që pëson dëmtime të madha jo vetëm për shkak të reshjeve por edhe cilësisë së dobët të punimeve.