Grabitja e kambistit, policia e Korçës në ndjekje të një grupi nga qyteti i Fierit

Policia e Korçës, i është vënë pas një grupi kriminal nga qyteti i Fierit, që ka si specialitet kryerjen e grabitjeve në zonën e qarkut të Korçës.

Pikërisht anëtarët e këtij grupi kriminal që sulmuan sot në orët e para të mëngjesit kambistin Shefqet Muço, janë me origjinë nga qyteti i Fierit dhe Durrësit.

Personi i vetëm që ndodhet për momentin i arrestuar është shtetasi Agim Çaçi, nga qyteti i Durrësit, i cili së bashku me dy persona të tjerë nga Fieri, kishin mbëritur në Korçë, për kryerjen e grabitjeve të banesave dhe bizneseve të ndryshme.

Çaçi, është mundur të arrestohet falë guximit të vetë kambistit i cili është përleshur fizikisht me të, duke e mbajtur të pa lëshuar deri në momentin që ka shkuar policia e Korçës.

Ndërsa dy persona e tjerë që besohet se janë nga Fieri, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim, ku aktualisht po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.

Në përleshje e sipër, tre personat kanë mundur ti marin kambistit një sasi prej 10 milion lekë të vjetra, ndërkohë në përpjekje për të mbrojtur kambistin, kanë shkuar familjarë të tij dhe komshinjtë.