Grabitja në Korçë: Si morën çantën plot me lekë, përleshja me grushta dhe kërcënimi me armë tek koka

Ora News zbulon detaje të grabitjes së banesës së kambistit mëngjesin e 11 janarit 2021, në rrugën e “Bilbilave” të qytetit të Korçës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orën 6:10 të mëngjesit të sotëm, ku tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë mundur të grabisin një sasi të konsiderueshme parash në banesën e një kambisti.

Gazetarja e Ora News informon se familjarët kanë qenë brenda në banesë në momentin që autorët janë futur brenda. 

Grabitësit kanë qenë me armë në dorë dhe duke I kërcënuar kanë mundur të marrin një çantë plot me lekë që kanë gjetur në banesë.

Si ndodhi përleshja

Kambisti Shefqet Muço ka qenë personi i cili është përleshur fillimisht me njërin prej autorëve.  Ai ka mundur që ta kapë dhe në një rrugicë më poshtë. Ora Neës disponon pamje të rrugicës, ku duken njollat e gjakut, nga përleshja që ata kanë pasur së bashku edhe me djalin e kambistit.

Arma në kokë

“Në momentin që kambisti ka kapur grabitësin, njëri prej grabitësve të tjerë e ka kërcënuar duke i vënë armën në kokë dhe duke i thënë ta lëshojë shokun e vetë.

“Më vrit nëse mundesh por unë nuk e lëshoj” mësohet të ketë thënë kambisti, informon gazetarja e Ora Neës në Korçë, Iris Grezhda.

Policia ka mbërritur në vendngjarje kur përleshja po vijonte por dy nga grabitësit kanë mundur të largohen, ndërsa njëri I cili është përleshur edhe me kambistin është ndaluar para policisë.

Kërkimet

Janë ngritur pika të shumta kontrolli për të bërë të mundur dhe kapjen e dy grabitësve të tjerë, ndërkohë kambisti Shefqet Muço dhe grabitësi I ndaluar ndodhen në spitalin e Korçës.

Muço ka marrë dëmtime në fytyrë pasi është goditur me grushta. Plagë ka dhe personi i arrestuar i cili nuk ka pranuar të flasë dhe të japë gjeneralitetet e tij për policinë.

Lexo dhe:
Korçë, hyjnë t’i grabisin banesën, kambisti e familjarët përleshen me ta, arrestohet një prej autorëve