"Deputeti që duam" Faza e dytë e seleksionimit për emrat e rinj në PS
Një pjesë e kandidaturave për deputet të PS do të vijnë nga shoqëria civile
Thirrjes së selisë rozë i janë përgjigjur 1800 ekspertë të fushave , përmes së cilëve, sipas kryesocialistit Edi Rama do të synohet dhe afrimi i emrave të rinj në parlament.
Edi Rama: “Kjo është faza e konsolidimit të këtij grupi të ri. Janë 58 emra që përfshihen në listën e atyre që e kanë prezantuar më mirë veten, psenë e kësaj nisme individuale, fuqinë e ambicies së tyre. Kjo nuk do të thotë që ata që s’janë përfshirë te kjo listë janë më pak të talentuar dhe më pak të prerë për tu përfshirë në këtë fazë komplekse si përfaqësimi politik, apo që nuk kanë arritur të shpalosin veten përmes video-mesazheve të tyre.
Inkurajoj ata që nuk kanë kaluar në fazën e dytë që të mos ligështohen, por të kuptojnë që për të shpalosur talentin e tyre për tu marrë me politik duhet punë dhe përgatitje. Trajnimi dhe edukimi i vetvetes me të gjitha ato për të cilat është e nevojshme të kesh kur merr përsipër të përfaqësosh komunitetin, është një domosdoshmëri, edhe për mua, për ta ushqyer veten me informacion, lexim dhe të gjitha format përmes të cilave pasurohet njeriu politik dhe zhdërvjelltësohen të gjitha shqisat që bëjnë diferencën në këtë arenë”.
Tashmë përmes akademisë politike dhe bashkëpunëtorëve të rinjtë i janë nënshtruar trajnimit, prej ku një pjesë do të jenë në listën e socialistëve.
Rama në qëndrimin e tij theksoi se po krijohet një traditë tashmë për afrimin e ekspertëve në fusha të ndryshme për tu bërë pjesë e socialistëve, teksa theksoi se për votimet e 25 prillit ai do të prezantojë listën fituese.