I hyjnë në banesë dhe i marrin çantën me miliona lekë, kambisti në Korçë përleshet me grabitësit
Ora shënonte 06:10 minuta e mëngjesit të së hënës, kur 3 persona të maskuar e me armë kanë hyrë në shtëpinë e Shefqet Muços në rrugën e Bilbilave në Korçë.
Synimi i personave të maskuar, ishte të grabisnin Muçon, i cili punonte si kambist.
Por jo gjithçka, ka shkuar siç ata e kishin menduar.
Vetë Muça, por edhe familjarët e tij kanë nisur duke u përleshur me grabitësit.
Edhe pse nën kërcënimin e armës, Muça ka arritur që të kapë një nga grabitësit, dhe pas një përleshje fizike me të, ai është arrestuar nga policia.
Përleshjet fizike dhe përdorimin e armës, edhe në rrugica të lagjes, e dëshmojnë edhe fqinjët e kambistit.
"E kishin vënë poshtë. Nuk e lëshuan."
Dy grabitësit e tjerë janë arratisur me një çantë me para, ku dyshohet se kanë marrë rreth 100 milionë lekë të vjetra.
Kambisti, bashkë me të birin, dhe një nga grabitësit ndodhen në spital, pasi kanë marrë plagë nga përleshjet fizike.
Sipas familjarëve, kjo është hera e katërt që kambisti Muça është grabitur.
Pak orë pas ngjarjes së rëndë është shoqëruar dhe një person tjetër që mendohet të ketë lidhje me grabitjen.
Zhvillimet nga ngjarja sipas kohës së raportimit
Ora 11:33 Identifikohet njëri prej grabitësve të kambistit në Korçë. Ai është Agim Çaçi nga Moglica e Korçës por me banim në Durrës. Ai ndodhet në spital pasi u përlesh në rrugicë me kambistin dhe familjarët e tij deri në momentin kur mbërriti policia. Kambisti nuk pranoi ta lëshonte grabitësin edhe pse u kërcënua me armë.
Ora 10:43 Gazetarja e Ora News Iris Rezhda informon se sipas atyre që kanë deklaruar familjarët në polici, në çantën e grabitur ka pasur rreth 100 milionë lekë.
Mësohet se është shoqëruar në komisariat dhe një person tjetër nga Fieri i dyshuar për ngjarjen.
Ora 10:25 Grabitësit dyshohet se kanë grabitur edhe kambistë të tjerë
Ora 09: 53 Si morën çantën plot me lekë, përleshja me grushta dhe kërcënimi me armë tek koka
09:38 Gazetarja e Ora News informon se dhe i biri i kambistit është lënduar në krah.
08:01: Fqinji tregon: Si u vunë poshtë grabitësin
Një prej fqinjëve të banorëve ka treguar se familjarët e kambistit e kishin shtrirë në tokë një prej grabitësve, ndërsa një prej tyre i kishte kërcënuar me armë për ta lëshuar.
"Unë vajta atje kur ata e kishin kapur autorin e kishin vënë poshtë. Dhe pastaj u njoftua policia e hoqëm neve të zotin prej krahu. Paratë i morën cantën, më tutje s'di gjë unë. Armë kishte se e kishte parë e shoqja që i kishte treguar pistoletën, ose lëshoje ose të vrava. Këta nuk e lëshuan, i thanë vrite po nuk e lëshoj"
08:00 Arrestohet njëri prej grabitësve
"Reagimi i menjëhershëm i Policisë, bëri të mundur ndalimin e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, i cili ndodhet aktualisht për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, pasi ka marrë lëndime gjatë përplasjes fizike me kambistin dhe forcat e policisë, ku ka tentuar të shmangë kapjen nga ana e tyre"thuhet në njoftimin e policisë
7:13: Grabitje në banesën e një kambisti në Korçë
Një grabitje me armë ka ndodhur në shtëpinë e një kambisti në Korçë.
Grabitësit kanë qenë të maskuar ndërkohë që 2 prej tyre janë larguar me paratë e vjedhura të cilat dyshohet se janë një shumë e konsiderueshme, njëri është përleshur me kambistin e familjarët i cili ka qenë dhe i zoti i shtëpisë
Familjarët thonë se kjo është hera e katërt që i hyjnë në shtëpi.