Reshje të dendura shiu në vend, rënie gurësh dhe inertesh në Elbasan, prurje të shumta në Shkumbin dhe Devoll
Gjatë natës së mbrëmshme në qytetin e Elbasanit ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, teksa janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh në disa akse.
Raportohet se rëniet e inerteve kanë ndodhur në aksin Elbasan-Qafë Thanë (Pishkash dhe kthesat e Murrashit), Cërrik-Gramsh (Ceruje, Drize), Gramsh-Kodovjat (Bratile).
Sipas përditësimit nga Emergjencat Civile, lumenjtë Shkumbin dhe Devoll kanë pasur prurje të konsiderueshme, por pa ndonjë ndryshim nga mbrëmja e djeshme. Përroi i Zaranikës ka pasur gjithashtu prurje të shumta dhe të vrullshme, deri tani pa pasoja.
Një shkollë në Njësinë Administrative Labinot Fushë nuk po zhvillon procesin mësimor, pasi çatia është dëmtuar, duke bërë që uji të depërtojë brenda, ndërsa një shkollë në Njësinë Administrative Kushovë në Gramsh ka pezulluar mësimin pasi prurjet e shumta të përroit rrezikojnë nxënësit gjatë kalimit.
Edhe energjia elektrike përbën problem në disa njësi, si ajo e Lunikut në Librazhd, një pjesë te dogana në Qafë Thanë, në Njësinë Administrative Kukur dhe Kodovjat në Gramsh, Shushicë në Elbasan dhe në një pjesë të qytetit të Bleshit.
Grupet e punës janë në terren dhe po punohet për stabilizimin e situatës.