Mbaruan pushimet, nxënësit i kthehen mësimit online dhe atij në klasë
Ditën e sotme mijëra nxënës në të gjithë Shqipërinë janë rikthyer në shkollë pas pushimeve më të gjata dimërore që kanë pasur.
Gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi mëngjesin e sotëm ndodhej pranë gjimnazit "Ismail Qemali" në Tiranë ku për emisionin "Ditë e Re" në Rtv Ora raportoi si paraqitej situata.
Celibashi tregoi se nxënësit janë rikthyer në shkollë dhe mësimi ka filluar duke ndjekur protokollin e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve përsa i përket parandalimit të Covid-19.
Mësimi ka rifilluar me të njëjtën formulë ashtu si dhe ka qenë para se të merreshin pushimet, pra përsëri do të kemi një mësim të alternuar mes atij në klasë dhe mësimit online.
"Nga Ministria e Arsimit na është konfirmuar se mësimi do të nisë me të njëjtën formulë ashtu si dhe ka qenë para se të merreshin pushimet e fundvitit, pra do të jetë mësimi i alternuar mes mësimit në klasë dhe atij online. Pra, nxënësit tre ditë do të jenë në klasë dhe 2 ditë në shtëpi dhe javët e tjera do të jetë e kundërta, dy ditë në shkollë dhe tre ditë në shtëpi.
E gjithë kjo situatë bëhet duke marrë parasysh faktin e numrit të lartë së të prekurve me Covid-19, gjithashtu edhe për të shmangur grumbullimet. Duhet theksuar se ata nxënës që do ta zhvillojnë mësimin në këtë lloj forme do të jenë nxënësit nga klasa e 6 deri te klasa e 11-të. Ndërsa, pjesa tjetër nxënësit e ciklit fillor dhe klasa e 12-të pra maturantët e kanë më të nevojshme të qëndruarit dhe kryerjen e mësimit nëpër klasa. E njëjta skemë e cila është zhvilluar edhe para marrjes së pushimeve"
Gjithashtu Anxhela gjatë lidhjes së saj theksoi dhe njëherë faktin se mësimdhënia online ka rezultuar jo efektive për nxënësit dhe ky fakt është pohuar nga vetë ata.
"Frika e Covid-19 është prezente te të gjithë. Ata tashmë e kanë një eksperiencë nga viti i kaluar për të cilën nuk janë shumë të kënaqur dhe shprehen se kanë patur shumë probleme sa i përket mënyrës së mësimdhënies. Qoftë me përfshirjen e aplikacioneve online apo qoftë edhe me mënyrën si e kanë përthithur mësimin.
Nuk janë ende të qartë nëse do të dëshironin të ktheheshin nëpër klasa duke marrë parasysh rrezikun e Covid-19 apo të qëndronin në shtëpi duke marrë parasysh efikasitetin e mësimdhënies. Ata deklarojnë që kanë shumë paqartësi në ato që u jepen nga mësuesit, pavarësisht përpjekjeve të shumta nga këta të fundit.”