"E disata herë që po i helmojnë me ujin që pijnë"/ Ish-deputetja: Organet e drejtësisë të hetojnë një orë e më parë
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka reaguar përmes një statusi në Facebook pas helmimit të 30 familjarëve në Shupenzë të Bulqizës.
Sipas ish parlamentares së Dribrës, shkak për helmimin e tyre është bërë uji i pijshëm, ndërsa kërkon nga organet e drejtësisë të mos heshtin, por të hetojnë rastin, pasi nuk është hera e parë që ndodh në atë zonë.
Reagimi i plotë i ish-deputetes:
Po i helmojnë prej 7 vitesh me varfëri duke i çuar në skamje. Po i helmojnë duke u vjedhur xhepat përmes taksave që paguajnë rregullisht për 7 vjet me radhë. U bë e disata herë që po i helmojnë me ujin që pijnë.
Janë banorët e Shupenzës kete herë dhe Bulqizes disa muaj me parë, të cilët vazhdimisht rezulton të helmohen nga uji i pijshëm në rubinetat e tyre, dhe ndonëse ky fakt është denoncuar dhjetra herë, ende askush nuk ka marrë asnjë përgjegjësi. Ndërsa banorëve u rrezikohet jeta nga helmi, auroritetet heqin përgjegjësitë nga vetja për këtë ngjarje.
Korrupsioni institucional në vepra publike është trendi i rilindjes, por ky korrupsion po u rrezikon jetën këtyre banorëve. Asnjë hetim nuk është kryer nga organet kompetente të hetimit.
Askush nuk ndihet para një akti të tillë kriminal. Institucionet të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë në mënyrë që uji të jetë ujë dhe jo helm për banorët e Shupenzës zonë ku burimet natyrore janë aq të shumta sa nuk mund të lejohet për asnjë arsye korruptive një akt i tillë kriminal.
Organet e drejtësisë të hetojnë një orë e më parë për këtë ngjarje të përsëritur e të nxjerrin para drejtësisë përgjegjësit që po ju kushton shëndetin banorëve të Bulqizës.
Është koha për të vepruar dhe jo për të heshtur.
Lexo edhe:
Bulqizë: Helmohen 30 persona në Shupenzë, dyshohet nga uji i pijshëm
30 persona janë helmuar në Shupenzë të Bulqizës. Dyshohet se ata janë helmuar nga uji i pijshëm për shkak të dëmtimit të tubacionit me ujërat e zeza
Banorët janë paraqitur pranë qendrës shëndetësore, ndërsa 3 prej tyre janë nga e njëjta familje.