Basha- Kryemadhi në zonat e përmbytura, Laç e Shkodër
Situatën problematike shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit opozita ia faturon qeverisë.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha inspektoi të dielën zonat që po hasen me vështirësi në Shkodër, Shirgjin dhe Obotin.
Situatën thotë se nuk po e përdor për politikë por akuzon qeverinë për mungesë menaxhimi.
Basha: Shqipëria po vuan një situatë krizash siç është pandemia, siç është situata e përmbytjeve e cila po na kushton dëme të mëdha ekonomike dhe jetë njerëzish. Nuk është koha për politikë por nuk mund të mohohet që gjendja mund të jetë me e mirëmenaxhuar
Për t`i dhënë zgjidhje gjendjes së krijuar Basha rekomandon marrjen e disa masave.
Basha: Masa e parë, do të kemi transparencë për atë që po ndodh. Duhet dislokimi i të gjithë resurseve shtetërore. Duhen marrë masa për t'iu ardhur në ndihmë banorëve të cilët po përjetojnë goditje pas goditjesh
Pranë banorëve të dëmtuar nga përmbytjet ishte dhe Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.
Në Laç Kryemadhi e vendosi theksin te mungesa e menaxhimit.
Kryemadhi: Mungesa dhe prishja e zinxhirit të funksionimit të shtetit ka sjellë një rezultat të tillë që ka krijuar më shumë kriza sesa i ka menaxhuar ato.
Banorët e prekur thanë se situata është e përsëritur në vite por institucionet përkatëse nuk kanë ofruar zgjidhje.