Përmbytjet në vend/ Zusi: Duhet projektuar një sistem i ri kanalizimesh. Dëmet ekonomike të pallogaritshme

Alban Zusi, kreu i Shoqatës së Eksportuesve shqiptarë, në një intervistë për Ora News, ka komentuar situatën me përmbytjet në vend.

Sipas Zusit, i cili ka mbajtur më herët edhe postin e zv/ministrit të Bujqësisë, kryesisht në zonën e nënShkodrës dhe Lezhës duhen investime në kanalet kulluese.

“Një vlerësim i saktë do duhej bërë nga ekspertët e hidroteknikës për të vlerësuar sasinë e reshjeve dhe kapacitetin për të cilin janë ndërtuar këto kanale dhe mbi bazën e tyre mund të themi, po, kanalet funksionojnë ose jo. Por arsyetimi më i ndershëm dhe korrekt është që, në situata ekstreme gjithmonë do të kemi përmbytje. Jo vetëm në Shqipëri, por ndodh në të gjithë botën. Edhe kur projektohen këto kanale kulluese ato projektohen me një koeficient të caktuar tërheqeje. Nuk mund të projektohen për të përballuar edhe reshje të karakterit ekstrem. Përmbytjet edhe mund të ndodhin. E rëndësishme është që, sa kohë do të qëndrojnë ujërat të patërhequra pasi përfundojnë prurjet, pasi përfundon fatkeqësia natyrore. Se praktikisht jemi në kushtet e një fatkeqësie natyrorore.

Meqë më kujtuat funksionin tim si zv/ministër, unë kujtoj janarin e vitit 2015  kur ishim në kushtet e një fatkeqësie natyrore, jo në zonën e Veriut por në zonën e Myzqesë, Lushnjes, Beratit, dhe hapësira andej dhe kujtoj se vërtetë ranë shira me intensitet jashtëzakonisht të lartë por në disa zona ku dukej dora e kujdesshme e drejtuesve lokalë apo edhe deputetit të zonës, brenda 24 orëve kulluan të gjitha fushat. Ndërsa në disa zona kaluan ditë më tepër.

Ajo që është e rëndësishme, është që këto shira të krahasohen me 2010. Unë uroj që mos përsëritet ajo kohë kur fushat qëndruan edhe 1 muaj. Sepse do të ketë sekuenca ekonomike dhe sociale”, u shpreh ndër të tjera Zusi.

Sa i përket dëmeve ekonomike për zonat e përmbytura, Zusi u shpreh se:

"Ne duhet të fillojmë të marrim vendime mbi bazë ekspertësh dhe specialistësh për ti zgjidhur këto problematika. Unë do të thoja se e gjithë zona e nënShkodrës dhe e Lezhës, të cilat në vijëmësi janë prekur nga përmbytjet, duhet projektuar një sistem i ri kanalizimesh ulta-modernë. Ndoshta duhet shtuar fuqia tërheqëse, fuqia e pompimit sepse sado të kushtojë ai sistem ka për të na kushtuar më pak se dëmi ekonomik që u ndodh këtyre zonave.

Imagjinoni që ato toka të humbasin fuqinë e tyre prodhuese, ata njerëz humbasin ato pak kursime që kanë pasur, fillon e humbet shpresa që në këtë vend rrihet. Pastaj kjo sjell edhe dëshirën për tu larguar nga vendi. Humbasin eksportet, humbasin përpunuesit që janë rreth tyre. Pra, është një humbje e pallogaritshme. Ndonjëherë nuk arrijmë as ta kalkulojmë nga pikëpamja formale".