Në 7 ditë 4157 raste të reja me Covid, të hënën rinis mësimi në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze
48 viktima dhe 4 mijë e 157 të infektuar është bilanci i koronavirusit në një javë.
Numri më i lartë i vdekjeve u shënua të martën me 11 të tilla, ndërsa dita me më shumë të infektuar ishte e mërkura me 725 raste.
Të dielën autoritetet shëndetësore raportuan për 8 humbje jete dhe 562 persona të prekur me coronavirus.
Në spitalet covid numri i pacientëve të shtruar është rritur. Në to po trajtohen 274 persona
Ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar se javët në vijim do të jenë të vështira sa i përket pandemisë, pasi parashikohet rritje e infektimeve.
Por pavarësisht këtij paralajmërimi dhe faktit që fëmijët janë transmetues të mëdhenj të covid-19, të hënën nxënësit do të rikthehen në shkollë pas 3 javësh pushime.
Mësimi do të zhvillohet me turne, orët do të jenë rreth 30 minuta ndërsa shkollat do të jenë të lira të zgjedhin mes mësimit në klasë dhe atij të alternuar me online.
Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Ministrja e Arsimit ka uruar rinisjen e mësimit teksa ka bërë thirrje për kujdes dhe respektim të rregullave anti-covid.