LSI Durrës denoncon skandalin/ Abuzim me 150 punëtorë turq në Shijak

Lëvizja Socialiste në Durrës, ka denoncuar një mega skandal që po ndodh me punëtorët e rindërtimit në Shijak.

Me një video lajm nga një televizion Turk, denoncohet abuzimi me 150 punonjësit e ardhur nga Turqia, të cilët sipas këtij denoncimi presin pagën e 3-4 muajve.

Punëtorët e ardhur nga Turqia si nënkontraktorë për ndërtimet e banesave të dëmtuara nga tërmeti prej muajsh presin pagat, por atyre u ofrohet vetëm 50 euro, një test COVID dhe kushte të mjerueshme strehimi, thuhet ne këtë denoncim të bërë nga Bahri Shaqiri, kandidat i LSI-së për Durrësin dhe ish-këshilltar i Presidentit për sigurisë kombëtare.

Të 150 punëtorët janë pa asnjë dokument, leje pune apo siguracion për një proces të tillë.

Ndaj përfaqësuesi i LSI-së kërkon që kryetari i Bashkisë së Shijakut, Ministri Ahmetaj, dhe autoritetet përkatëse të japin shpjegime nëse është transparente kontrata e lidhur me kompaninë Pepa dhe Dimar, nëse nënkontraktorët që janë nga shtete të huaja a kanë detyrimin t’i pajisin me dokumenta specialistët dhe në rast mospagesash kush garanton? Po në rast aksidentesh?

Po ashtu LSI kërkon nga autoritetet të sqarojnë se cila është arsyeja që përdoren 150 punonjës të huaj dhe pa dokumente pune.