Dosjet në Kushtetuese, seanca e parë me 26 janar

26 janari do të jetë dita kur Gjykata Kushtetuese do të nise shqyrtimin e çështjes së parë ne seancë plenare me 7 anëtarë, pas tre viteve jashtë funksionit.

Pas mbledhjes së gjyqtarëve ku u diskutua edhe në lidhje me menyrën e përzgjedhjes së dosjeve për shqyrtim, anëtarët kanë vendosur të nisin shqyrtimin me një kërkesë të Gjykatës së Tiranës, në të cilën kërkohet shfuqizimi i papajtueshëm me Kushtetutën në Kodin e Procedurës Penale i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”.

Një tjetër seancë është parashikuar për tu zhvilluar më 4 shkurt ku është parashikuar çështja gjyqësore e një qytetari me Entin Kombëtar të Banesave. Ndërkohw një çështje me rëndësishme është caktuar të shqyrtohet në 11 shkurt.

Në këtë datë do të shqyrtohet kërkesa e shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” për të shfuqizuar një pjesë të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave".

Deri në fund të muajit shkurt pritet të shqyrtohen mbi 20 dosje ndërkohë aktualisht në pritje janë 140 dosje për të cilat është vendosur të dalin në seancë plenare. Një nga çështjet më të nxehta lidhet me zgjedhjet e kaluara pasi në korrik të vitit 2019 Shoqata e Bashkive të Shqipërisë paraqiti një ankimim, pasi e konsideroi procesin e zgjedhjeve lokale të vitit 2019 si antikushtetues për shkak të mungesës se alternativave në zgjedhje.

Krahas çështjeve të nxehta si zgjedhjet e 30 qershorit, ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar apo ndryshimet në Kodin Zgjedhor, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e kryeministrisë për mosmarrëveshjet me Presidentin Meta lidhur me emërimin dhe shkarkimin e ministrave.