Manastirliu në Durrës: Vaksinimi do të nisë me spitalet Covid

Nga Durrësi ku shpërndau një pjesë të autoambulancave të reja për urgjencat, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se vaksinimi do të nisë së pari me stafet e urgjencave dhe spitaleve Covid, ndërsa përgatitjet janë bërë për çdo skenar të pandemisë.

Vaksinimi i stafit mjekësor do të nisë me ata që janë në vijën e parë të betejës me Covid, mjekë dhe stafin ndihmës të spitaleve Covid. Kjo është konfirmuar nga ministrja e shëndetësisë, e cila ishte në Durrës për shpërndarjen e flotës së 36 autoambulancave të reja që do të bëhet në të gjitha spitalet rajonale

Manastirliu: Ajo çka pritet tani është fillimi i vaksinimit dhe ne e kemi thënë do të fillojmë me ata të cilët janë në vijën e parë të kësaj lufte, me mjekët, me infermierët në spitalet COVID, me punonjësit e urgjencave, të cilët janë në frontin e parë dhe po vijojnë këtë betejë me këtë armik të padukshëm

Ministrja e Shëndetësisë tha se spitalet rajonale janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID19.

Manastirliu: Spitali i Durrësit ka një pavion të dedikuar për këto raste dhe jemi bërë gati që në rastet e një skenari ku do duhet që të dedikohen edhe për rastet Covid, ne jemi gati me stafet e trajnuara, me aparaturat jetë shpëtuese, me të gjithë setin e elementëve që kanë nevojë, qoftë barna, materiale mjekësore. Po rrisim më shumë kapacitetet për të përballuar çdo skenar që kjo pandemi mund të na sjellë dhe pikërisht edhe flota e re e autoambulancave, një investimi i qeverisë shqiptare në përmbushje të përgjigjes sonë ndaj pandemisë, vjen për të lehtësuar menaxhimin dhe për të krijuar kapacitetet e nevojshme për të përballuar çdo skenar.

Epidemiologët parashikojnë një rritje të shifrave të rasteve me Covid 19 në vend, javët e fundit të janarit, ndërsa ende nuk ka patur raste me llojin e ri të virusit në Shqipëri.