Shkodra nën pushtetin e ujit/ Kolvataj: Mijëra hektarë tokë e përmbytur. Banorët kanë marrë vetëm ujë të pijshëm
Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në RTV Ora, gazetari i Shkodrës Bepin Kolvataj ka bërë një rezyme mbi situatën e përmbytjeve në këtë qark dhe mbi vizitën e kryeministrit Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha ditën e sotme në kryeqendrën e Veriut të vendit.
Bepin Kolvataj: "Situata ditën e sotme, pas reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë paradites dhe që janë parashikuar të vazhdojnë edhe këtë pasdreke por edhe ditën e hënë, situata ka ardhur duke u përkeqësuar.
Flasim për 4100 hektarë tokë të përmbytura nga të cilat 2000 i përkasin vetëm Bashkisë së Shkodrës dhe situata mbetet më shqetësuese në dy njësi administrative. Në atë të Anës së Malit dhe të Dajçit, të cilat janë edhe më të goditurat nga vërshimi i ujërave.
Rruga e Obotit vijon të jetë e bllokuar ndërsa atje janë të vendosura forcat e ushtrisë me dy mjete, një varkë dhe një mjet i tonazhit të rëndë.
Sa i përket ndihmës, duhet thënë se përveç ujit të pijshëm nuk ka patur asnjë ndihmë tjetër. Kjo na është konfirmuar nga vetë banorët. Në ditët në vijim do të përkeqësohet situata sa i përket gjësë së gjallë pasi duhen rezerva ushqimore prandaj është kërkuar sot një mbledhje e Shtabit të Emergjencave".