Skandali me gjyqtaren e Apelit, nuk paraqitet në punë prej tre vitesh, ILD nis hetimin

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin për rastin e një gjyqtareje në Gjykatën e Apelit të Tiranës,  e cila ka tre vjet që nuk paraqitet në punë ndonëse figuron aktualisht si gjyqtare në këtë gjykatë.

Bëhet fjalë për gjyqtaren Evjeni Sinoymeri, e cila në nisje të procesit të vettingut i është drejtuar ish-këshillit të Lartë të Drejtësisë dy vite me parë me një kërkesë ku kërkonte për arsye familjarë një leje dy vjeçare.

Leja i është miratuar nga KLD e asaj kohe dhe ajo përfundonte në prill të vitit 2020. 

Por Sinoymeri i është drejtuar sërish me një kërkesë Këshillit të Lartë Gjyqësor ku i kërkonte sërish leje, por këtë herë kërkesa nuk është miratuar.

Po pavarësisht refuzimit  nga ana e KLGJ-së, gjyqtarja nuk është kthyer në detyrë ndërsa mesohet se ajo vijon të qëndrojë  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen e saj.

Rasti është denoncuar te Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili ka nisur verifikimet dhe pritet t'i drejtohet me nje kërkesë për masë  Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Po kështu edhe KPK ka nxjerrë në kalendar seancën degjimore për Sinoymerin, e cila nuk dihet nëse do të paraqitet para Komisionit apo do të vijojë të qëndrojë ne SHBA.

Aktualisht Gjykata e Apelit ne Tiranë  është në prag kolapsi për shkak të shkarkimeve të shumta të gjyqtarëve nga vettingu ndërsa numri i dosjeve është tepër i lartë.