Orë kritike nga përmbytjet/ HEC-et nisin shkarkimet, lumenjtë në pikë kritike në veri, nisin evakuimet e banorëve
Orët në vijim pritet të jetë kritike për situatën e përmbytjeve që tashmë ka nisur pas reshjeve të dendura të shiut që kanë detyruar nisjen e shkarkimeve në Hidrocentrale. Në zonat më problematike kanë nisur evakuimet, ndërsa ushtria ka dalë në ndihmë të banorëve të zonave të prekura në Shkodër e Lezhë.
Vendi po kalon orë kritike pas reshjeve intensive dhe nisjes së shkarkimeve në Hidrocentrale. Nënshkodra u zgjua nën ujë.
Oboti është më i godituri pasi vërshimi i ujit ka bërë të pakalueshme rrugën veç mjeteve të ushtrisë që u dislokuan në ndihmë të banorëve.
Inatin ujërave banorët ua njohin mirë, sepse ndër vite kanë humbur shumë nga pasuria e tyre, ndaj sytë i kanë nga Hidrocentrali i Vaut të Dejës që sipas burimeve shkarkon 300 m3 për sekondë dhe prurjet Kaskadë janë 2700m3/sek.
Kryebashkiakja, Voltana Ademi, që pa nga afër situatën, u bëri thirrje banorëve të jenë gati për çdo skenar të mundshëm.
Shkarkimet kanë nisur edhe nga Shkopeti e Ulza duke rritur alarmin për përmbytje në Kurbin e Lezhë, ku në ndihmë të banorëve pritet të vendosen forcat e ushtrisë.
Banorët thonë se kjo situatë nuk ishte parë që prej vitit 2002.
Situata është problematike edhe në Lezhë, ku ashtu si në bashkinë Krujë kanë nisur evakuimet e banorëve të rrezikuar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave në lagjen pranë Spitalit.
Lumi Drin doli nga shtrati në disa pika ku bashkë me kanalet kulluese që nuk përballuan prurjet kanë vënë nën ujë mbi 200 hektarë tokë.
Vërshimi i ujërave bllokoi rrugën lidhëse të fshatit Kallmet me supestraden Lezhë-Shkodër dhe nga kjo situatë rrezikoi jetën një person që udhëtonte me motor.
Gjithashtu vërshimi i kanalit të ujërave të larta bllokoi akset rrugore që lidhin fshatrat.
Familja e Bajram Reçit në Gjormë të Kurbinit është evakuuar pasi uji i ka përmbytyr banesën, ndërsa mbi 20 të tjera janë të rrezikuara.
Disa qindra hektarë tokë e mbjellë janë nën ujë për shkak të prurjeve të lumit Ishëm dhe kanaleve kulluese që nuk kanë përballuar prurjet.
Në Durrës, janë evakuuar disa familje në Rrushkull dhe fshatin Jubë.
Lumi Vjosa arriti mbi 6.3 metra e për pasojë përmbyt tregun e gjësë së gjallë në Mifol, duke rikthyer alarmin në zonën e Novoselës dhe anën tjetër në qarkun e Fierit.
Në Gjirokastër, Liqeni i Viroit arriti pikën maksimale duke dalë mbi rrugë e për pasojë krijoi probleme në lëvizje, ndërsa Derviçani u vu nën pushtetin e ujit.
Ora News përcjell live të gjitha zhvillimet
Ora 12:00 Lezhë 2 mijë ha tokë nën ujë
Në Lezhë reshjet e shiut të rëna gjatë natës dhe ditës së sotme kanë krijuar probleme kryesisht në zonën fushore të Lezhës dhe të Kurbinit.
Sipas raportimeve të fundit të Emergjencave Civile janë rreth 2 mijë mijë hektarë tokë të përmbytura.
Janë bllokuar dy akse rrugore, konkretisht rruga që lidh fshatin Kamet me superstradën Lezhë-Shkodër, si dhe rruga që lidh fshatin Merçinë me superstradën Lezhë-Shkodër, pasi uji ka dalë në sipërfaqe duke bllokuar këto segmente rrugore.
Në fshatin Merçi ka rrezikuar jetën edhe një qytetar teksa po kalonte me motorë përmes ujit dhe rrjedha e ujit mori me vete mjetin e tij, por fatmirësisht shpëtoi.
Ora News sjell pamje nga shkarkimet e HEC të Ulzës dhe Shkopetit
Ora 11: 40 Nëse do ketë shtim të shkarkimeve rrezikohen banesat
Shkodër, për momentin nuk rrezikohen banesat por nëse do të ketë shtim të shkarkimeve nga HEC e kaskadës së Drinit atëherë situata do të ndryshojë, informon gazetari i Ora News, Bepin Kolvata.
Ora 11:08 Durrës: Ishmi del nga shtrati, 100 hektarë tokë nën ujë
Ora 10: 28 Ademi: Për momentin nuk kemi nevojën e evakuimit, na duhet ndihma për transport
Ora 10:23 Novoselë, dëshmia e banorit, për më pak se dy orë niveli i ujit në Vjosë u rrit me 4 metra
Ora 10:09 Përmbytjet në Shkodër, mbërrijnë mjetet e para të ushtrisë
Ora 09: 38 Orteku i borës në Kelmend merr përpara makinën, ja çfarë e shpëtoi mjekun
Ora 09:27 Probleme me përmbytjet në Shkodër, Ademi kërkon ndihmën e ushtrisë
Ora 09:23 Liqeni i Viroit del nga shtrati, ka prezencë uji në aksin Gjirokastër – Tepelenë
Ora 09: 12 Krujë, përmbyten dhjetëra hektarë tokë, shtëpive po iu afrohet uji në oborr
Ora 09:04 Në Himarë, pedonalja mbulohet nga zhavorri dhe papastërtitë
Ora 08:49 Pamje nga Lezha/ Përmbyten dhjetëra hektarë tokë në zonën e ish frutores
Ora 08: 25 Fryhet Drini dhe Buna, 498 ha tokë e përmbytur në Shkodër