"Hej mik!" Kur Kujtim Prodani u këndonte miqve artistë që ikën pa radhë, pengu i mos të qenit baba dhe dëshira për të sjellë albume të tjera

"Hej mik!" Kur Kujtim Prodani u këndonte miqve artistë

Te Zotit jemi dhe tek ai do kthehemi, askush nuk është i përjetshëm në këtë botë. Koronavirusi mori sot një emër të spikatur të muzikës së lehtë.

Kantautori i njohur Kujtim Prodani, autor i 57 këngëve, u nda sot nga jeta në moshën 57 vjeçare pas një beteje të vështirë me virusin Covid 19 në spitalin "Shefqet Ndroqi".

Ai iku nga kjo botë por për të gjithë ne la pas krijimtarinë e tij të vyer artistike.

Me katër albume në treg, i fundit ishte "Prodani" të cilin e shoqëroi dhe me një këngë me klip të titulluar "Hej mik".

I ftuar në "Zonë e lirë" në mars të vitit që lamë pas, atëherë kur kjo flamë e keqe kishte hyrë në vendin tonë, Prodani tregonte se kjo këngë ishte një dedikim për të gjithë miqtë e tij artistë që ikën në moshë të re nga kjo botë pa radhë.

Prodani: U dedikohet miqve që u larguan pa radhë nga kjo jetë. Kam lexuar shumë poezi të Dor Kekos, iku shumë shpejt 44 vjeç. U largua Tan Minarolli, profesor Sandër Lalo, Françesk Radi, Tos Baxhaku, Xhevdet Ferri. Ndërsa ikja e Gjergj Xhuvanit më ka lënduar, më ka trishtuar, më ka shpërfytyruar shpirtërisht.Kjo këngë, ky videoklik u dedikohet atyre. Nuk dua ta personalizoj.Do të ikim të gjithë nga kjo botë… do të iki dhe unë.

Çani: Mund të ikim tani me koronën…

Prodani: Nuk e di, atë se besoj. Jo mo jo, më lër të bëj dhe ca albume të tjera. Unë nuk jam prind, nuk jam baba. Nuk e përjetoj dot emicionin e bukur që përjetojnë prindërit, baballarët në shtëpi, qoftë dhe në këtë periudhë. Këtë album e kam quajtur "bebi numër katër", ky është krijimi im, është pjella ime dhe ndaj e kam xhan.

Po aq prekës është edhe mesazhi që ai jepte përmes kësaj këngë në atë kohë.

Prodani: Uroj të keni durim por do të kalojë dhe kjo, nuk ka si të ndodhë ndryshe. Hej mik, nuk e lashë kot për në fund, bëni kujdes për shëndetin tuaj që kjo këngë të këndohet sa më rrallë.

Prodani nuk e la me kaq, ai i dedikoi edhe një këngë koronës me titull "Ju flet Corona" (Të jesh njeri..!)

Kujtim Prodani ishte biri i një çifti artistësh që i dhanë shumë muzikës shqiptare, djali i këngëtares Anita Take dhe Agim Prodanit, kompozitor shqiptar dhe një nga themeluesit e muzikës së lehtë shqiptare, të dy të larguar nga kjo jetë.

Kultura Lajme Muzikë kujtim prodani

EMISIONET