SHBA akuza Rusisë për sulmin kibernetik

Agjencitë amerikane të zbulimit akuzuan Rusinë si përgjegjëse për sulmin e madh kibernetik që u identifikua muajin e kaluar, kur hakerat patën qasje në disa agjenci federale.

Në një deklaratë të përbashkët FBI, Agjencia Kombëtare e Sigurisë dhe Agjencia e Sigurisë së Infrasrukturës Kibernetike, thanë se synimi i hakerave ishte mbledhja e materiale sekrete dhe jo dëmtimi i tyre. Deri më tani hetuesit kanë zbuluar sulme ndaj të paktën dhjetë agjencive.

“Sipas të gjitha gjasave Rusia është vendi i origjinës dhe përgjegjës për shumicën e sulmeve të identifikuara si në rrjetet qeveritare ashtu dhe ato private,” thotë deklarata që shton se hetimet vijojnë.

Ndonëse më herët zyrtarët përgjegjës dhe vetë sekretari i Shtetit Mike Pompeo thanë se Rusia mund të ishte pas sulmit, vetë presidenti Donald Trump akuzoi Kinën.

Administrata në ardhje e presidentit të zgjedhur Joe Biden ka premtuar të kundërpërgjigjet.

Deri më tani zyrtarët rusë e kanë mohuar përfshirjen.

Midis agjencive të sulmuara ishte Departamenti i Mbrojtjes, ai i Shtetit, Sigurisë së Brendshme, Thesarit dhe Tregtisë, si dhe u komprometuan sistemet e rreth 50 kompanive private.

Hetimet zbuluan se sulmi ndodhi nëpërmjet një softueri të kompanisë SolarWinds e cila zhvillon sisteme menaxhimi rrjetesh për qeveritë amerikane. Dyshohet se hakerat u kanë dërguar përdoruesve një përditësim të softuerit i cili pasi është instaluar, mundësoi dërgimin e materialeve drejt serverëve të hakerave.

Është ende e paqartë se si hakerat morën nën kontroll linjën e prodhimit të kompanisë SolarWinds.