Mafia po tenton të fusë duart në planin e shpërndarjes së vaksinës, alarmi në Itali

Autoritetet Italiane, janë vënë në alarm nga rreziku se mafia italiane, po tenton të fusë duart në planin e shpërndarjes së vaksinave anticovid.

Gjithashtu grupe kriminale të strukturuara mirë e klane mafioze me aktivitet kriminal ndërkombëtar, po synojnë të përfitojnë nga emergjenca kombëtare, si në sektorin e shërbimeve primare ashtu dhe në fondet, tenderat e masat ndihmëse qeveritare në ndihmë të ekonomisë së dëmtuar nga pandemia.

Alarmi është lëshuar nga raporti i hartuar nga “Organizmi i Komitetit Kombëtar i Rendit e Sigurisë Publike” drejtuar nga kreu i Policisë së Shtetit, i thirrur në një mbledhje të jashtëzakonshme nga Ministrja Italiane e rendit , Luciana Lamorgese, për të ekzaminuar planin shpërndarës të vaksinave anticovid në nivel territorial e kombëtar.

Hetimet e analizat e këtij raporti, kanë informuar se klanet mafioze të mafias Italiane po tentojnë të përfitojnë, nga masat e marra nga qeveria për të ndihmuar ekonominë e dëmtuar nga pandemia si dhe po përpiqen të infiltrohen në shërbimet e higjenizimit në strukturat tregtare e turistike.

 Një tjetër rrezik madhor që shfaqet në këtë moment është se mafia Italiane po kërkon, të shtrijë duart në planin e shpërndarjes së vaksinave antiCovid.

"Kërkesa e lartë për vaksinat e oferta e ulët e furnizimit fillestar të saj na sinjalizon interesin e grupeve kriminale të mafias në planin e shpërndarjes së vaksinave në nivel kombëtar e territorial", informon raporti i Ministrisë së Brendshme, e Organizmit të Monitorimit Kombëtar, të sigurisë e rendit publik.

Analistët Italianë, të sigurisë kombëtare sugjerojnë që në temën e infiltrimeve të mundshme mafioze t'u kushtohen më shumë vemendje sektorëve të ekonomisë, që janë më joshës për grupet kriminale për shkak të kohëzgjatjes së krizës pandemike, si kërkesa për aparate, e instrumente mjekësore, tregtia online, shërbimet e higjenizim-pastrimit, shërbimet funerale, tregtia ushqimore etj.

Raporti i Ministrisë së Brendshme Italiane hedh vemendje në kujdesin që duhet treguar në procedurat kontraktuale publike, nga masat qeveritare për të mbështetur sipërmarrjen kombëtare, e sidomos ndaj atyre kompanive që kanë qënë më të shpejta në fazat paraprake përmes blerjes direkte, e jo direkte të pronësisë, ose të kontrollit të menaxhimit të kompanisë e të devijimeve pasuese të tenderave, e subvencioneve nga shteti.

Gjithashtu “Komiteti Kombëtar Italian” për sigurinë e rendin publik kërkon të analizohen flukse financiare, përmes platformave informatike e aplikacioneve online, me qëllim sigurinë e anonimitetit e shpejtësinë e veprimit.

Raporti i ekspertëve Italianë të sigurisë informon se gjatë muajve të pandemisë është shfaqur një boom, i sulmeve informatike të cilat janë rritur me 35.3% më shumë se sa e njëjta periudhë kohore e një viti më parë,të cilët janë rritur me 104% numri i personave të denoncuar për krime kibernitike.

Dosjeri analitik i Minsitrisë së Brendshme Italiane, informon gjithashtu se sulme kriminale ndaj infrastrukturave të mëdha, që ofrojnë shërbime thelbësore, si dhe ndaj enteve , subjekteve individuale, bizneseve e qytetarëve, i atribohet grupeve të strukturuara mirë e që shpesh operojnë, në nivel ndërkombëtar e mbi të gjitha me një aktivitet kriminal me natyrë ekonomike që synon marrjen e fitimeve të paligjshme.