‘Origjina e Covid-19’ Kina nuk po i lejon shkencëtarët të hetojnë

Organizata Botërore e Shëndetësisë është zhgënjyer me autoritetet kineze pas vendimit të Pekinit për ta vonuar më tej nisjen e studimeve mbi origjinën e koronavirusit.

Ekipi i OBSH-së pritej të vizitonte të martën qytetin kinez të Uhanit, që njihet edhe si epiqendra fillestare ku shpërtheu epidemia e kovidit-19.

Por udhëtimi i 10 ekspertëve ndërkombëtarë nuk u realizua me arsyen se Kina vonoi nxjerrjen e lejeve të nevojshme për misionin, edhe pse qeveria kineze ishte zotuar për to.

"Jam shumë i zhgënjyer sepse dy pjesëtarë ishin nisur për udhëtim, ndërsa të tjerët e mësuan në minutën e fundit se nuk do të mund të shkonin. Kam marrë garanci nga Kina se procedurat do të shpejtohen, sepse ky mision është prioritet për OBSH-në dhe ekipin ndërkombëtar" -deklaroi shefi i OBSH-së, Tedros Adanom.

Koronavirusi i ri u zbulua në provincën Hubei të Uhanit gjatë fundit të vitit 2019, dhe mendohet se u transmetua te njerëzit nëpërmjet kafshëve ekzotike që shiteshin në një treg lokal, me gjasë nga lakuriqët e natës.

Bilanci global i të prekurve nga Covid-19 po arrin në 90 milion, ndërsa afro 1 milion e 900 mijë njerëz nuk i kanë mbijetuar dot infeksionit.

Sëmundja ka rifilluar të përhapet edhe brenda kufirit kinez, deri në kryeqytet.

Pekini njoftoi se provinca e Hebeit ka rihyrë në gjendje lufte, duke mbyllur terminalet e autobusëve për udhëtimet e gjata, duke ndaluar grupimet e njerëzve dhe duke kërkuar tamponë negativë për të ardhurit pasi janë zbuluar vatra të reja me virusin SARS-CoV-2.

Kina raportoi të martën gjithsej 32 persona me simptoma të kovidit-19 dhe gati 4.800 është numri i jetëve të humbura në harkun e një viti betejë me pandeminë.