Donin të rrëzonin qeverinë, Hong-Kong arreston 50 opozitarë
Autoritetet e Hong-Kongut arrestuan të mërkurën 50 aktivistë dhe politikanë të grupimeve opozitare, me pretekstin se donin të rrëzonin qeverinë e rajonit gjysmautonom kinez.
Rreth 1 mijë oficerë policie u shpërndanë të mërkurën në qytet, duke shoqëruar e bastisur shtëpitë e personave që kanë lidhje me opozitën ose punojnë për të, madje edhe redaksitë e tre agjencive lokale të lajmeve.
Zyrtarët politikë u arrestuan për shkak të garës elektorale që ata improvizuan në muajin korrik, për të matur fuqinë e tyre përpara procesit zgjedhor që u shty më vonë prej pandemisë.
Disa prej kandidatëve të kohës tashmë po ndiqen penalisht ose janë skualifikuar nga gara, mes tyre edhe aktivisti i njohur Xhoshua Uion, i cili lobon për më shumë demokraci në Hong-Kong.
Si bazë për shoqërimin e personave u citua ligji për sigurinë kombëtare që Pekini e propozoi dhe e miratoi qershorin e kaluar, pikërisht për të ndaluar përpjekjet për destabilizimin e rajonit me anë të protestave, për ndarjen e tij nga Kina apo influencat e huaja politike në vend.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, "Amnesty International", u shpreh se ligji për sigurinë kombëtare po kthehet në një armë e cila po godet këdo që kritikon establishmentin aktual politik, dhe kështu po cenon pavarësinë dhe sovranitetin e Hong-Kongut.
Edhe Uashingtoni e kritikoi revanshin e qeverisë së rajonit dhe Pekinit ndaj opozitës.
"Arrestimet janë sulm ndaj atyre që mbrojnë me guxim të drejtat universale. Administrata e Xho Bajden dhe Kamala Haris do të qëndrojnë me popullin e Hong-Kongut dhe përballë represionit të Pekinit mbi demokracinë," deklaroi kryediplomati i ardhshëm i Amerikës, Antoni Blinken.