Apeli lë në burg të akuzuarit për vrasjen e Vajdin Lamajt

Gjykata Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg të dhënë nga shkalla e parë për Indrit Rusin, Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin të akuzuar për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005.

Për këtë ngjarje janë arrestuar në Kosovë pak ditë më parë Indrit Taullau dhe në Dubai Plarent Dervishaj.

Dy të ndaluarit dyshohen si të implikuar në dy vrasjet e 2005, ndaj ishin në kërkim ndërkombëtar.

Akuzat ndaj tyre u ngritën pas dëshmisë së Luftar Reçit, i cili ishte personi që siguroi bombën që u përdor për vrasjen e Vajdin Lamajt.

I vetmi person që është në kërkim për dy vrasjet e bujshme vazhdon të jetë Lul Berisha. Pas seancës së kësaj të merkurë avokati i Lul Berishës dhe Indrit Rusit refuzuan të flasin për mediat, pasi sipas tyre u është mohuar e drejta për të komunikuar për shkak të sekretit hetimor.

Ngjarjet në fjalë u zbardhën sipas SPAK pas 15 vitesh, nga dëshmia e të penduarit Luftar Reçi.

Në dëshminë e marrë nga prokurorët e SPAK Reçi është shprehur se edhe pse nuk ka marrë pjesë në shpërthimin me tritol të ashensorit ku ishte Lamaj, ka qenë lulzim Berisha që i ka kërkuar një sasi lënde plasëse me telekomandë.

Montimi i bombës sipas Reçit është bërë në shtëpinë e motrës së Lulzim Berishës ku më pas Indrit Taullai ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit.

Vrasjen e Vajdin Lamajt Reçi ka deklaruar se e ka mësuar nga media e menjëherë pas kësaj deklaroi se ka telefonuar Berishën, por ai i ka thënë se ndodhej në Turqi.

Ndër të tjera Reçi është shprehur se Viktor Imeri kishte arritur të gjente një informator pranë Lamajt duke marrë vesh se kur duhej bërë shpërthimi i minës.

Ngjarja e parë që akuzohen personazhe e njohur të drejtësisë u regjistruan në 26 shkurt 2005, ku në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është vrarë me armë zjarri shtetasi Klodian Saliu, i cili po lëvizte me makinën e tij.

Ngjarja e dytë ka ndodhur një ditë më pas, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse në ashensorin e pallatit u vra biznesmeni Vajdin Lame dhe miku I tij Artan Arsi.  

Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve. Prokuroria e Posaçme ka rifilluar hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre i ka bashkuar në një të vetëm duke gjetur prova për kapjen e autorëve.