Osmani ekskluzivisht në "Tempora": Qytetarët e Kosovës kanë humbur nga eksperimentet politike të këtij viti
Në një lidhje direkte për emisionin “Tempora” në RTV Ora, ushtruesja e detyrës së Presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani, një ndër personazhet kryesore të politikës për vitin që po lemë pas dhe politikanja më e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 për LDK, por e përjashtuar më pas, u shpreh se asnjëherë nuk i është trembur sfidave.
Sipas Osmanit, kjo është një kauzë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe nuk e mendon aspak si një sfidë për veten e saj.
Vjosa Osmani: “Unë kurrë s’përtoj ti rrekem sfidave. Kauza për të cilën luftojmë është kauzë që ia vlen dhe është në interes qytetar. E dyta, asnjëherë çështja do duhej të shtrohej nëse Vjosa Osmani si politikane humbet apo fiton diçka. Asnjëherë nuk ka rëndësi se ku mbetet një politikan individual. Ata që kanë humbur nga eksperimentete e shumta politike që kanë ndodhur gjatë këtij viti kanë qenë qytetarët e Kosovës. U rrëzua një qeveri në pandemi dhe erdhi një qeveri që nuk përfaqësonte interesin e qytetarëve.
Tani është fati ynë i madh që do të dalim të gjithë para qytetarëve të Kosovës që do të kenë fjalën dhe ata do të tregojnë se kush e mbajti fjalën. Kush i përfaqësoi interesat e tyre dhe kush e bëri përmbysjen e madhe të vullnetit të tyre. Unë nuk brengosem fare me fatin tim politik. E gjithë puna ime, i gjithë angazhimi im është që të sigurohen që zgjedhjet e ardhshme të jenë të tilla që të japin një rezultat të fuqishëm që do të lejojë krijimin e institucioneve që do të jenë reprezentative të po vullnetit që qytetarët e shprehin në datën e zgjedhjeve”.