Osmani: Serbia kërkon të na destabilizojë, vaksinat në prill
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka fajësuar qeverinë e vendit se po reagon ngadalë për të siguruar vaksinat ndaj koronavirusit. Serbia ka dorëzuar disa doza në komunat veriore, por Osmani e quan këtë shkelje flagrante të marrëveshjeve dypalëshe.
Kosova pritet t'i marrë vaksinat e para kundër Covid-19 rreth muajit prill dhe përgjegjësia për këtë vonesë po i ngarkohet qeverisë aktuale.
Vjosa Osmani, presidentja në detyrë e Kosovës e ardhur nga radhët e partisë në pushtet, deklaroi të martën se përveçse me OBSH-në, duhen intensifikuar negociatat me shtete specifike të BE-së për të përfituar doza që ato i kanë porositur shtesë mbi numrin e popullsisë së vet.
Ajo tha se shtetet e rajonit po e trajtojnë më me prioritet çështjen, ndryshe nga Prishtina.
“Vetëm kur e ndryshojmë mentalitetin qeverisës në një mentalitet ku shëndetësia e arsimi janë prioritare dhe jo investimet në asfalt të cilat shumë herë janë të panevojshme atëherë ne do të mund të kemi kualitet edhe në shërbimet shëndetësore por edhe shërbimet e tjera qe janë të domosdoshme për qytetarët tanë e shtetin tonë në përgjithësi.”-thotë ajo.
Presidentja në detyrë vizitoi gjatë ditës Shërbimin Spitalor Klinik për të dëgjuar problematikat që po has personeli mjekësor gjatë pandemisë.
Osmani kërkoi nga qeveria të ketë një qëndrim më të qartë edhe për temën më të fundit që Serbia ka dërguar vaksina pa leje në disa komuna kosovare me shumicë serbe.
Ndërsa po hetohen dyshimet për kontrabandë, homologu i saj në Beograd, Aleksandër Vuçiç, tha një ditë më parë se Serbia mund të ndihmojë me doza edhe shqiptarët e Kosovës.
“Përderisa mungon një informatë e tillë dhe një bashkërendim i tillë natyrisht që Serbia e shfrytëzon çdo hapësirë dhe çdo vakum të tillë për të destabilizuar vendin. Sepse ata edhe kur e përdorin këtë si argument kinse për mbrojtje të qytetarëve ne fakt po e shfrytëzojnë për destabizilizim te situatës, të sigurisë por edhe politik qe pastaj mund të këtë pasoja me te mëdha.”
Kosovës i janë premtuar 360 mijë doza vaksine përmes programit të OBSH-së, COVAX, që do i shërbejnë për imunizimin e pjesshëm të popullatës, ndërsa mbi 1.300 të tjerë deri tani nuk i kanë mbijetuar dot infeksionit nga koronavirusi i ri.