Serbia shpërndau vaksinat në veri të Kosovës, nisin menjëherë hetimet

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur mbledhjen e informatave rreth hyrjes së vaksinave kundër Covid-19 në komunat veriore të Kosovës.

Prokurori Shyqyri Syla konfirmoi për "Radion Evropa e Lirë" se fillimisht do të konstatohet nëse produktet farmaceutike kanë hyrë nga Serbia në Kosovë në rrugë ligjore apo jo.

Nëse gjejmë prova se vërtet ato janë kontrabanduar, sepse duhet një autorizim për përdorimin e këtyre vaksinave, do të nisin procedurat penale kundër personave përgjegjës", shtoi Syla.

Të premten e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se në komunën kosovare më veriore të Leposaviqit, filloi vaksinimi kundër koronavirusit për personat mbi 75 vjeç, duke përdorur dozat e kompanive "Pfizer/BioNTech" të cilat mbërritën në Serbi më 22 dhjetor.

Në fundjavë mësohet se do të vijonte vaksinimi edhe në komunat e tjera ku jeton popullsia serbe, në Mitrovicën e Veriut, në Zubin Potok dhe në Zveçan.

Qeveria e Kosovës e ka kritikuar fushatën serbe të vaksinimit duke thënë se nuk ka qenë në dijeni, ndërsa nga opozita, kandidati i ardhshëm për kryeministër, Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, mbajti të dielën dy qeveritë e fundit përgjegjëse për situatën.

Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb, ndërsa vaksinat mendohet se kanë hyrë në vend përmes Entit të Shëndetit Publik.

Kosova vetë ka aplikuar zyrtarisht në programin "COVAX" të OBSH-së për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19, për të imunizuar gjysmën e popullatës brenda vitit 2021.