"E papranueshme!" Hoti bisedon me Varhelyi për hyrjen e vaksinave në veri të Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina.
"Këtë sjellje të Republikës së Serbisë e konsiderojmë të papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë inicuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime. Z. Varhelyi e sigurova se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim" thuhet në një njoftim për shtyp të qeverisë së Kosovës ku mësohet biseda telefonike mes komisionarit të Bashkimit Evropian, Oliver Harhelyi dhe kryeministrit Hoti.
Ndërkohë sot u mësua se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur mbledhjen e informatave rreth hyrjes së vaksinave kundër Covid-19 në komunat veriore të Kosovës.
Ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që deklaroi më 25 dhjetor se në Kosovë ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.
Sa i përket vaksines kundër Covid-19, z. Varhelyi më siguroi se, një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor thuhet në njoftim.
Lexo dhe: Nisin menjëherë hetimet