Çështja e kokainës së Shpat Kasapit shkon te Zaev, Grubi e shkarkon nga detyra e këshilltarit

Lajmi se këngëtari shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Shpat Kasapi, është kapur me lëndë narkotike kokainë rreth një muaj më parë bëri xhiron e mediave këtë fundjavë.

Edhe pse vetë ai e mohoi një gjë të tillë, shefi i tij Artan Grubi nuk ka pritur gjatë për të sqaruar këtë situatë por menjëherë ka vendosur shkarkimin nga detyra si këshilltar i tij.

Për çështjen në fjalë reagoi sot edhe kryeministri Zoran Zaev.

Ai tha sot se ishte informuar për shkarkimin e këshilltarit Shpat Kasapi nga zyra e zëvendëskryeministrit Artan Grubi, duke vlerësuar se një person në një nivel kaq të lartë nuk mund të shoqërohet me veprimtari të paligjshme.

Ai beson se reagoi shpejt, duke pasur parasysh që zëvendëskryeministri e mësoi këtë fakt dje nga media.

"Në një takim pune, zëvendëskryeministri i parë më informoi direkt. Nuk lejohet përdorimi i drogës nag një këshilltar në kabinet në nivelin më të lartë. Ai menjëherë ndërmori veprim sot për ta shkarkuar për shkak të kësaj përgjegjësie. Ai më njoftoi në takimin e rregullt këtë mëngjes dhe më tha se  e mësoi dje nga media ”, tha Zaev nga Tetova.

Sipas mediave maqedonase, një muaj më parë këngëtari Shpat Kasapi u kap me dy pako të vogla kokainë në lagjen "Gjorce Petrov"në Shkup. Po sipas mediave, këngëtari ishte arrestuar dhe ndaj tij është ngritur një padi.

Vetë Kasapi i mohoi akuzat, duke thënë se ishin vetëm shpifje.

LEXO EDHE:  U tha se u kap me kokainë dhe u arrestua, reagon Shpat Kasapi