"E kishin mizën nën kësulë dhe deshën të kruheshin" Kurti: Marrim 65 deputetë

"Lëvizja Vetëvendosje" në Kosovë nuk ka dyshime se ajo do i fitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme të parashikuara në javët që vijnë.

Kryetari i "Lëvizjes", Albin Kurti, foli të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë për një dyfishim të mbështetjes për "Vetëvendosjen" krahasuar me zgjedhjet e vitit të kaluar, që mund t'i sigurojë asaj diferencën për të qeverisur e vetme.

Albin Kurti: Gjasat janë në këto zgjedhje nga lista jonë të bëhen deputet më shumë se 65 emra...

Kurti kritikoi cilësinë e parlamentarizmit në vend, ndërsa komentoi edhe tensionet e hershme me partinë ish-aleate, "Lidhjen Demokratike të Kosovës".

Aleanca kohëshkurtër u përball me kushte që në gjenezë, ku ndër të tjera iu kërkua Vetëvendosjes të tërhiqte ish-kryeparlamentarin e vet të kohës, Glauk Konjufcën.

Albin  Kurti: Këmbëngulja e LDK-së për ta marrë atë pozitë lidhje në fakt jo me kryetarin e Kuvendit sa me presidentin. Sot do ta kishim patur ushtrues të detyrës së presidentit dhe kjo e tmerronte gardën e vjetër.

Kurti tha se kabineti i tij më i vogël në katër muaj bashkëqeverisje provoi se ishte më eficient me të ardhurat dhe po e fuste vendin në shinat e rimëkëmbjes, deri kur pushtetin e mori LDK-ja.

Albin  Kurti: Kjo gjë i shqetësoi kapësit të shtetit, të cilët prej vitesh i trajtonin ato ndërmarrje publike si lopë private, duke i mjel fshehurazi më rrallë e haptazi gjithnjë e më shpesh.

Ai tha se përkundër rekomandimeve ndërkombëtare që të pritej për rrëzimin e qeverisë së tij deri në kalimin e pandemisë, subjektet e tjera politike nuk kishin duruar.

Albin  Kurti: E kishin mizën nën kësulë dhe deshën të kruheshin. Dikush atëherë thoshte se po i bëjnë këto të pabëra se duan të shpëtojnë nga Gjykata Speciale por nuk shpëtuan dot nga ajo grackë të cilën ia kanë ngritur vetës.

Ndërsa sondazhet e reflektojnë avantazhin e Vetëvendosjes në zgjedhje, PDK-ja nëpërmjet zëdhënësit të saj e ironizoi të dielën pretendimin se ajo mund të marrë dy të tretat e votave.

Edhe kryetari i LDK-së në pushtet, Isa Mustafa, në një intervistë me portalin "ekonomiaonline", i quajti sondazhet të sajuara dhe pret ende që të formalizojë kandidatin e vet për kryeministër.

Isa Mustafa: Si LDK nuk iu besoj fare sa përrallave aq iu besoj këtyre sondazheve të Vetëvendosjes dhe të porositura nga ajo. Ne njihemi mirë në Kosovë kush çfarë anëtarësie ka, cilët votues i ka. Njihemi mirë edhe me sondazhet dhe mënyrën e organizimit të tyre. Në zgjedhje nuk do të hyjmë me kompleksin e sondazheve por do të hyjmë me besimin që presim nga qytetarët për programin tonë dhe për punën që ka bërë qeveria Hoti.