Vjosa Osmani videomesazh për festat e fundvitit: Të dënohen krimet e Serbisë

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, u është drejtuar aleatëve ndërkombëtarë ta mbështetin vendin në luftën për drejtësi ndaj gjenocidit serb.

Në një videomesazh për festat e fundvitit, Osmani kërkoi që Serbia të mbajë përgjegjësi për dhunën sistematike që sponsorizoi dhe për mbi 1.600 shqiptarët e Kosovës ende të pagjetur.

"Serbia kreu dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit tonë. Kjo rezultoi në më shumë se 13 mijë vrasje të popullatës civile gjatë luftës, 1.133 prej të cilëve ishin fëmijë. E përsëris, fëmijë. Krimet e tmerrshme që ndodhën në tokën tonë rezultuan në numrin më të lartë të fëmijëve viktima për kokë banori gjatë luftërave të Jugosllavisë."

Kryetarja e shtetit tha se pa mbështetjen e huaj, zor se do të kenë sukses përpjekjet e Kosovës për drejtësi.

"Ne kemi qenë me fat që t’ju kemi pranë nesh kur na është dashur më së shumti, në luftën tonë për liri dhe pavarësi dhe së bashku e mbyllën me sukses atë kapitull. Por, derisa përballemi me sfidat tona të sotme, ne e dimë se nuk mund t’i kapërcejmë këto vetëm."

Osmani e cilësoi vitin 2020, vit të sfidave të pashembullta për shkak të koronavirusit të ri që ka vrarë mbi 1,300 qytetarë.

Mesazhi e saj për aleatët, presidentja në detyrë e Kosovës e mbylli me shpresën se vendi do të përparojë në rrugën demokratike dhe institucionale, pasi një Kosovë e pavarur dhe plotësisht funksionale do të ishte edhe garantuese për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.