Dikur kërkonte burgosjen e Veselit dhe Thaçit, Quni: Janë duke u përballur me drejtësinë

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Anton Quni, shpreson që UÇK-ja do ta ruajë imazhin e mirë pavarësisht zhvillimeve në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ministri aktual i Mbrojtjes thotë se nuk i gëzohet arrestimit të dy ish-shokëve të luftës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët dikur i akuzonte se e kishin vendin pas qelive të burgut.

“Pasi zoti Thaçi e zoti Veseli janë duke u përballë me drejtësinë nuk do te ishte e ndershme nga kjo pozitë unë të rëndoj edhe më shumë situatën.”

Përballjen me autoritetet e specializuara ndërkombëtare, ish-luftëtari i Betejës së Kosharës e quan jo të drejtë, pasi populli shqiptar e luftoi agresionin serb brenda kufijve të Kosovës.

 “Ne urojmë që gjithë ato veprime të UÇK-së pa marrë parasysh si do të jetë epilogu individual për të akuzuarit, të ruaj imazhin e mirë qe e ka të qytetarët por edhe në përgjithësi nga komuniteti ndërkombëtar.”

Gjykata Speciale pritet të vijojë seancat me ish-udhëheqësit e lartë të UÇK-së në muajin janar, kohë që po përflitet edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

Quni, si kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, thotë se partia e tij i ka pritur ato, por vazhdon ta shqetësojë një ndarje e mundshme e LDK-së me kolegen dhe presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, që mund të ndikonte në rezultatin zgjedhor.

“Zonja Vjosa Osmani gëzon një autoritet tek një pjesë e votuesve të LDK-së dhe nëse qëndrojmë në këto pozita do të ketë pasoja edhe për LDK-në, por urojmë që në ditët në vijim do të gjendet gjuha e përbashkët dhe të gjithë ata qe kanë çfarëdo arsye që të mbajnë ndonjë distancë me LDK-në, në të ardhmen ta gjejnë vetën brenda saj.”

Anton Quni u emërua ministër i Mbrojtjes në qeverinë e koalicionit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, post të cilin e mban edhe në qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, që Gjykata Kushtetuese vendosi këtë javë se është votëbesuar nga parlamenti në mënyrë jokushtetuese.