Serbia lehtëson masat pandemike, ekspertët kundërshtojnë vendimin
Të premten, autoritetet serbe kanë marrë vendim që të lehtësojnë disa masa të pandemisë së koronavirusit para festës së Vitit të Ri.
Shtabi i Krizës për luftimin e pandemisë COVID-19, vendosi që për fundjavë ushqimoret dhe dyqanet do të jenë të hapura deri në orën 20:00.
Qëllimi i kësaj mase është që ekonomia të mos thelohet më shumë në krizë dhe që të ruhen vendet e punës.
Ndërkohë ekspertët shëndetësorë të Shtabit të Krizave ishin kundër këtij vendimi për të zbutur masat.
Vendimi i fundit në fakt lehtësoi masat e miratuara nga qeveria e Serbisë më 21 dhjetor, kur u vendos që të zgjaten orët e punës të objekteve hotelierike, qendrave tregtare, dyqaneve, si dhe aktiviteteve të shërbimit, deri në orën 20:00 Ky vendim ishte i vlefshëm deri sot, më 25 dhjetor.
Në Serbi gjatë 24 orëve e fundit janë regjistruar 4.091 raste me koronavirus dhe 49 viktima. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 2.882, njoftoi ministria e Shëndetësisë e Serbisë dje.
Vaksinat e para kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer/BioNtech u shpërndanë në shtëpitë e pleqve në Beograd dhe Novi Sad. Tre vaksinat e para u morën publikisht para kamerave nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe anëtarët e Shtabit të Krizës, Darija Kisiq Tepavçeviq dhe Predrag Kon.