Në Kosovë nuk ka të dhëna zyrtare për arritjen e vaksinës në veri
Qeveria në detyrë e Kosovës deklaron se nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare - legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër Covid-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit.
“Çdo produkt mjekësor që hyn në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt, duke pasur autorizim- marketing për produktin, të lëshuar nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale). Nëse një produkt nuk e respekton këtë procedure të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal. Ndërsa organet kompetente ndërmarrin veprimet e duhura ligjore” thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ndërkohë të premten e 25 dhjetorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit me vaksinën Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.
Vuçiç tha se vaksinimi ka filluar në Leposaviq dhe se do të nisë edhe në Mitrovicë.
Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.
Vaksina Pfizer/BioNTech ka arritur në Serbi më 22 dhjetor.