Zgjedhjet në Kosovë, LDK pa kandidat
Lidhja Demokratike e Kosovës është kapur në befasi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur qeverinë e tanishme, jolegjitime.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha të mërkurën se partia e tij ende nuk e ka vendosur me cilin kandidat do e kërkojë kryeministrinë teksa mbeten pak javë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Ne po presim mbi bazën e asaj që deklaroi edhe kryeministri Hoti dje që të mblidhet edhe njëherë Kuvendi dhe pastaj në momentin kur shpallim zgjedhjet do mbledhim organet tona dhe do diskutojmë në mënyrë institucionale.”
Pas homazheve te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, me rastin e 31-vjetorit të themelimit të LDK-së, Mustafa kërkoi nga palët politike ta respektojnë vendimin e Kushtetueses.
Ai apeloi respekt edhe për kriteret e konkurrimit në garën e ardhshme elektorale, duke shfaqur pretendime ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili rezulton i dënuar sipas ligjit.
“Ai që ka të drejtë të konkurroj për deputet duhet t’i hapet rruga të konkurroj. Ai që nuk ka të drejtë mbi bazën e këtij aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të respektojë atë ashtu siç po e respektojmë ne një vendim të Gjykatës Kushtetuese të cilin nuk e kemi pritur".
Edhe të mërkurën, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, vijoi konsultimet me partitë parlamentare për të gjetur konsensus mbi datën e zgjedhjeve.
Partia "Alternativa" me në krye Mimoza Kusari-Lilën ka propozuar të dielën mes 17 dhe 24 janarit, ndërsa garën pritet ta zhvillojë në aleancë me Vetëvendosjen edhe në 2021-in.
“Uroj që me konsensus të të gjitha partive zgjedhjet të përcaktohen sa më parë, çfarëdo shtyrje e procesit zgjedhor do të jetë ngarkesë edhe për qytetarët por edhe për proceset të cilat po presin dhe natyrisht që sa më parë që organizohen zgjedhjet e dimë se nuk e kemi fushatën klasike, nuk do ketë tubime, do jetë në masa mjaftë të kufizuara sipas rekomandimeve të IKSHP-së prandaj sa më parë të bëhet kjo datë aq më mirë. Duke i marrë parasysh festat e fundvitit dhe afatet e tjera mund të jenë ose me 17 janar nëse dakordohen ose më 24 janar, njëra prej të dielave e treta ose e katërta e muajit janar.”
Me mbajtjen e zgjedhjeve synohet të zgjidhet më së pari edhe gërçi institucional rreth presidentit të ri, pasi ushtrueses aktuale, Osmani, i kanë mbetur pak muaj në detyrë.
Nga LDK-ja, nënkryetari Lutfi Haziri propozon një zgjidhje që sipas tij do i shmangte krizat e njëpasnjëshme.
"Kemi hyrë në një cikël të krizave politike, që nuk do të jetë e lehtë me e menaxhua për arsye që sistemi operacional zgjedhor nuk favorizon rezultat të pastër asnjëherë dhe nëse e kemi edhe vendimin e Gjykatës, që partia që fiton zgjedhjet nuk arrin brenda 14 ditëve me e ndërtua qeverinë, mandej kalon tek partia e dytë, kjo stimulon koalicione dhe kanë me qenë interesant zhvillimet. Por, për postin e presidentit, do të jetë jashtëzakonisht vështirë me i pas 80 deputetë për një president, i cili do ta merr shumicën. Në rast se dështojmë me e zgjedh një president, prapë vendi rrezikon me shkua në krizë. Kriza është e paralajmëruar, do të doja që vërtet partitë politike me hy me zotim që këto zgjedhje pavarësisht se si do të del rezultati dhe kush do të jetë ai që do të udhëheq me këto institucione me e dhënë një zotim që presidenti me u zgjedh dhe mos me lejua prodhimin e krizave të reja politike në Kosovë."
Gjykata Kushtetuese i ka lënë aktorëve politikë në Kosovë 40 ditë afat për zgjedhjet e reja.
Vendimet e qeverisë Hoti do të mbeten në fuqi si edhe ekzekutivi do të vazhdojë të ushtrojë detyrën deri kur të zgjidhet qeveria e re.