Kosova në zgjedhje të parakohshme, Hoti: Kuvendi të mos shpërndahet

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta kaluar vendin në zgjedhje të parakohshme pas 40 ditësh.

Hoti i ka bërë thirrje Kuvendit të mos shpërndahet pa u miratuar Buxheti i 2021, ndërkohë që caktimin e datës së zgjedhje e ka konsideruar obligim kushtetues.

“Unë pranoj plotësisht këtë vendim dhe do ta respektoj pa asnjë diskutim. Nuk do të lëshohem fare në diskutimin për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ky është parimi elementar i punës tonë dhe ju e dini ktë qasje. Më vjen mirë që Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se bazuar në parimin e sigurisë juridike, edhe faktit që ky gjykim nuk mund të ketë qëllim prapaveprues, vendimet e qeverisë aktuale mbeten në fuqi dhe qeveria mbetet të detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë si qeveri në bazë të Kushtetutës. Është obligim kushtutes që të fillojmë procedurat për shpalljen e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues. Ne do t’i kryejmë obligimet tona në rrethana të reja pas këtij vendimi.

Siguroj të gjithë qytetarët dhe partnerët tanë me të cilët po bashkëpunojmë, që do të jemi në krye të detyrës për t’u marrë me obligimet qe i kemi karshi qytetarëve të vendit, sidomos me menaxhimin e situatës me pandeminë. Për të cilët kemi treguar rezultate të mira me një punë të jashtëzakonshme. Përpara kemi një punë shumë të rëndsishme që është buxheti i 2021.

Bëj thirrje që Kuvendi të mos shpërndahet pa u miratuar buxheti për vitin 2021.”, ka thënë Hoti.