Rikthimi i legjitimitetit parlamentar në Kosovë shihet si më e drejta për vendin
Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme për t'i rikthyer Parlamentit të Kosovës legjitimitetin, po shihet si i drejtë, madje i vonuar nga grupe qytetarësh në Kosovë.
Me shpalljen të pavlefshme të votës së deputetit Etem Arifi, Gjykata Kushtetuese rrëzoi faktikisht qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti pas 200 ditëve në pushtet apo 6 muaj e gjysmë qeverisje.
“Është vendim i qëlluar, por pak i vonuar sepse nuk është dashtë që të na lejnë gati që një vit në këtë lloj ankthi se qeveria është formuar me njerëz që nuk janë kredibil, faktikisht i dënon ligji.”
Rendja pas interesave të ngushtë, jo shtetformimit, vlerësohet se e ka bërë skenën politike kosovare, viktimë të vetvetes.
“Unë mendoj se Kosova gjithherë po shkon kah një pështjellim të formimit të shtetit, këta politikanët që po merren me politikë, nuk janë kah punojnë për shtetin, janë ka punojnë për vete të vijnë pushtet.”
Janë të mëdha shpresat për të pasur zgjedhje më konkurruese fillimvitin e ardhshëm, edhe pse koha e lënë në dispozicion për organizimin e tyre, është e shkurtër.
“Por është dashtë më iu dhënë edhe pak kohë që me dal kandidat të mirë, dhe dy parti të fuqishme të formojnë një qeveri të fortë që me i bartë proceset sepse kemi ngelur me një vend, se kjo është veç sa me thënë kemi një qeveri. Ky (Hoti) nuk është që nuk ka punuar, por nuk ka pasur legjitimitet.”
“Unë besoj që vendi nuk është aq i gatshëm (për zgjedhje), por rrethanat na e diktojnë, ndoshta duhet të shkojmë në zgjedhje nëse nuk ka opsione të tjera, por që zgjedhjet duhet të jenë ferr dhe korrekte dhe të respektohet vota e qytetarit”, ka thënë Reçica.
Në harkun e pak muajve pas zgjedhjeve të tetorit 2019, Kosova e ka ndërruar dy herë udhëheqjen politike, e tani urohet për një qeveri ndryshe, më demokratike.
“Dashtë Zoti na vijnë njerëz që e donë atdheun, e që nuk janë të korruptuar. Hajnat kurrë mos ardhshin.”