Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, kush janë kandidatët për kryeministër
Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha dje verdiktin final lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.
Ky vendim i Kushtetueses e çon vendin në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.
Lexo edhe:
Për këtë arsye, nga presidenca kanë bërë të ditur se u.d e presidentit, Vjosa Osmani për të caktuar datën e zgjedhjeve do t’i ftojë sot në takim krerët e partive politike.
“Partitë politike do të ftohen sot nga u.d. Presidentja Osmani për ta diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë për Gazetën Express, Bekim Kupina, këshilltar për Media i u.d. Presidentit.
Lexo edhe:
Osmani do të thërrasë takim për datën e zgjedhjeve
Vetëvendosje garon me Albin Kurtin
Lëvizja Vetëvendosje me gjasë është partia e vetme që e ka të caktuar saktë emrin e personit që do të garojë për ulësen e kryeministrit.
Albin Kurti, lideri i kësaj partie e ish-kryeministri ende nuk ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e ka rrëzuar nga pushteti Qeverinë Hoti.
Në Vetëvendosje megjithatë, nuk kanë munguar fotografitë e Kurtit ku është përmendur 51% si cak që ky subjekt ka në këto zgjedhje.
Një gjë e tillë megjithatë mbetet vetëm pretendim i partisë së Kurtit e tashmë ka mbetur të interpretohet vendimi i mbrëmshëm për t’u parë nëse atij i lejohet të kandidojë për kryeministër ose jo.
Vjosa Osmani me iniciativë të re
U.d e presidentit e kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani pas përjashtimit nga Lidhja Demokratike ka bërë të ditur se do të formojë një iniciativë të re me të cilën do të garojë në zgjedhje kurdo që ato do të mbahen.
Tashmë është në dorën e Osmanit që brenda 40 ditësh të caktojë datën kur qytetarët e Kosovës do të dalin të votojnë.
Ajo ka bërë të ditur se është takuar me Kurtin për të diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit. Nuk dihet ende nëse dyshja Kurti-Osmani garojnë në një listë të përbashkët.
LDK-ja ende pa emër për kryeministër
Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja kishte arritur që të dilte e dyta në zgjedhje me Vjosa Osmanin si kandidate.
Osmani kishte arritur që t’i afrohej me votë vendit të parë, e rrjedhimisht, ky subjekt ka siguruar 28 ulëse në Kuvend të Kosovës.
Mirëpo, me zhvillimet e fundit, sidomos pas përjashtimit të Osmanit, është diskutabile se cili do të jetë emri që partia e Isa Mustafës do ta propozojë për kryeministër.
Janë përmendur disa mundësi si nënkryetari Lutfi Haziri, Kujtim Shala e Lumir Abdixhiku, mirëpo, që emri i asnjërit nga ta nuk është konfirmuar në subjekt.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa e as shefi tashmë në detyrë i Qeverisë, Avdullah Hoti nuk janë deklaruar ende për vendimin.
PDK-ja pro zgjedhjeve, s’tregon emra
Partia Demokratike e Kosovës mbrëmë ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses për rrëzimin e Hotit.
Rrjedhimisht, nga ky subjekt janë shprehur pro mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Por, kush do të jetë kandidati që do ta propozojnë për kryeministër?
Pas dorëheqjes së Kadri Veselit nga kreu i PDK-së, ky subjekt është duke funksionuar me u.d të kryetarit. Në këtë pozitë është emëruar Enver Hoxhaj.
I njëjti ka një kohë që ka filluar vizitat nëpër komuna të Kosovës ku edhe ka folur publikisht për zgjedhjet e reja.
Këto vizita të Hoxhajt nuk dihet nëse janë sinjalizues se ai do të jetë kandidati i partisë për kryeministër.
Si kandidatë në opinion janë përfolur disa emra si Vlora Çitaku e Memli Krasniqi.
Ramush Haradinaj president apo kryeministër?
Partia e Ramush Haradinajt kishte filluar qysh herët problemet me përfaqësues të LDK-së në Qeveri. AAK-ja ka një kohë tashmë që është duke përmendur zgjedhjet e reja, duke vënë kushte me pozitën e presidentit.
Tashmë kur zgjedhjet janë një muaj larg, partia e Haradinajt nuk dihet nëse do të vazhdojë garën me ndonjë koalicion apo e vetme.
Rrjedhimisht, Haradinaj do të duhet të vendosë a do të garojë për t’u bërë kryeministër, apo do të vazhdojë rrugën për president.
NISMA me PDK-në?
Partia e Fatmir Limajt nuk e pati të lehtë në zgjedhjet e gjashtë tetorit të vitit të kaluar.
Për muaj me radhë ishte diskutabile nëse ky subjekt që garonte në koalicion me dy parti tjera e kishte kaluar pragun zgjedhor.
Në zgjedhjet e reja që sipas të gjitha gjasave mbahen brenda janarit, Nisma ka paralajmëruar bashkëpunim me PDK-në.
Kjo deklaratë ka ardhur mbrëmë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga sekretari i partisë, Bilall Sherifi.
Sherifi ka deklaruar se tashmë janë në biseda me disa parti e po shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit.
AKR garon në zgjedhje
Edhe partia e Behgjet Pacollit do të garojë në zgjedhjet e reja. Ajo që mbetet të shihet sipas tyre është se me cilin subjekt do të vazhdojnë bashkëpunimin.
Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.
Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
/GazetaExpress