President nga populli, partitë në Kosovë kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës

Partitë politike në Kosovë me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje po kërkojnë që presidenti në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt me votim nga populli. Megjithëse s’po bien dakord që kreu i shtetit të zgjidhet në këtë formë këtë legjislaturë, LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja shkojnë në një linjë kur kërkojnë reformë zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Deputeti i LDK-së, njëherësh kryetar i komisionit për legjislacion, Shkëmb Manaj thotë se partitë politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët që presidenti i vendit në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt me votë nga qytetarët.

 “Urgjentisht të gjitha subjektet politike që janë̈ të përfaqësuara në Kuvend duhet të ulen dhe të mendojnë̈ seriozisht për reformën zgjedhore dhe Kushtetuese. Unë̈ mendoj që është mirë të shikohet që presidenti i Republikës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët e Kosovës sepse edhe kompetencat çfarë i ka si unifikues, do të ishte mirë të burojë drejtpërdrejtë nga populli i Kosovës dhe pastaj të mos kemi probleme,” thotë ai.

Me një qëndrim të tillë pajtohet edhe deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha.

“Pozita e presidentit duhet të shërbejë ashtu siç është në Kushtetutë si pozitë unifikuese dhe jo bllokuese. Në këtë moment kemi një rast të tillë kur vet zgjedhja e presidentit po shërben si bllokim për institucionet e Kosovës, por edhe jetën normale në Kosovë,” u shpreh ajo.

Ndërsa, Pal Lekaj nga AAK thotë se partia që përfaqëson do të përkrahë çdo reformë zgjedhore dhe kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

“Aleanca përkrah çdo reformë zgjedhore edhe nëqoftëse dakordohemi që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt me votën e qytetarëve,” thotë ai.

Por me argumentet e tri partive, nuk pajtohet deputeti i LVV-së, Dimal Basha.

“Ne mendojmë se si Republikë parlamentare sikur të ruhet fryma kushtetuese nuk do të ishte problem për asnjë subjekt politikë për me votua për një president konsensual, apolitik që përfaqëson unitetin e popullit,” deklaron ai.

Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se mungesa e konsensusit nuk përbën detyrim për ndryshimin e Kushtetutës.

“Ne konsiderojmë se është shumë shqetësues fakti që po tentohet të adresohen pakënaqësitë, ose mungesa e konsensusit të spektrit politik duke ndryshuar bazën juridike të vendit. Ne konsiderojmë se kjo është një qasje e gabuar se baza juridike e cila rregullon parimet e shtetit nuk duhet të ndryshohet për t’iu përshtatë interesave aktuale të partive politike, ose qeverive,” thotë̈ ajo.

Palët politike në vend edhe në të kaluarën janë përpjekur që në kuadër të reformës zgjedhore, të sanksionojë zgjedhjen e presidentit nga populli.