Tahiri: Vuçiç provokoi për njohjen

Presidenti serb, Vuçiç aludoi në fundjavë se Serbia nuk do e njohë Kosovën si shtet para vitit 2022, por nga qeveria kosovare, Besnik Tahiri, mendon se deklarata ka qenë thjesht provokim.

Kosova nuk po mendon t'i shmanget dialogut me Serbinë pavarësisht deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se ai nuk ka për ta njohur shtetin fqinj sa të jetë në krye të shtetit.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, tha të hënën se Prishtina i qëndron objektivave të dialogut dhe nuk do të shpërqendrohet nga provokimet e palës tjetër.

sinkron Tahiri: Nuk duhet të na shqetësojnë deklaratat e Vuçiqit

“Ai flet ne me u provoku dhe ne me e pas një reagim të fortë dhe me thënë: ‘këta janë kundër dialogut’. Ai i ka qëllimet e veta për konsum të brendshëm dhe për konsum të jashtëm, ne e kemi drejtimin tonë."

Për Tahirin, si përfaqësuesin i partisë në pushtet, "Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës", vendi nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut.

"Ne shkojmë me dialogu një dialog, i cili si rezultat e ka njohjen reciproke dhe drejtimin drejt Bashkimit Evropian edhe të Kosovës, edhe të Serbisë. Drejtimi i Kosovës është në rrugën e vet përkundër problemeve që i kemi, ndërsa drejtimi i Serbisë lidhet ngushtë me marrëdhëniet reciproke.”

Kryeshtetari i Serbisë, Vuçiç, aludoi fundjavën e shkuar se Beogradi nuk parashikohet ta njohë pavarësinë e Kosovës para prillit 2022, kur serbët do të caktojnë presidentin e ardhshëm.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u kundërpërgjigj se pa njohje reciproke, rrezikohen edhe planet e Bashkimit Europian dhe Uashingtonit për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë.